Shkruan Basir Çollaku
Zonat e mbrojtura, ndërtesat e trashëgimisë, objekte të cilat kanë një mbrojtje ligjore, hiqen nga kjo listë në mënyrën më të shpeshtë, në formë kriminale, në një skemë genocide për pasuritë tona kombëtare, nga djegia, nga zjarret. Në bregdet lakmia ka kaluar marrëzitë e çmenduritë dhe meqë nuk mund të marrësh sëpatën e motosharrën, mbarohet punë me shkrepëse apo shishe benzine. Zjarri fshin gjurmët, bën gati vendin, zhbën atë pyll formuar në dekada.
Kam pyetur inxhinierë dhe ekspertë mjedisore nga më të mirët në vend për këtë tragjedi mbi natyrën nga duar njerëzish. Për ta është katastrofë dhe vështirë të gjendet kund ndonjë përgjegjës anonim. Por ky zjarr më tha njëri prej tyre, do të nxjerrë tym më vonë, kur të nisin investimet. Lakmia e mafies së ndërtimit matanë detit, Camorrra dhe Ndrangheta, ka qenë aty për këto territore magjike të Vlorës. Aty ku mund të hidhen qindra milionë euro e pastrohen miliarda të tjerë. Kjo është një nga pistat ku nuk po shkon dot hetimi, por do të na e zbulojë më vonë investimi, Nuk do të vonojë tepër
Çfarë është apo ishte Pish Pora
Pish Pora ishte se tani u bë ish, një ndër masivet pyjore më të bukur të bregdetit shqiptar e njëkohësisht edhe më të mbrojturit, por u shkrumbua totalisht nga flakët. U deshën nëntë ditë për të zhdukur 900 hektarë me pyje. Nuk ka asnjë dyshim se vlera e dëmit në të gjitha aspektet mund të kapë te paktën 50 milionë euro. 50 milionë euro është 10% e vlerës së investuar në pyje këto 5 vitet e fundit. Ka disa pyetje të mbetura deri më tani pa përgjigje, por brenda tyre janë shumë shkaqe të ndodhisë.
Së pari
A mund të parandalohej zjarri?!
Sigurisht që po shpjegojnë ekspertët e mjedisit, njohës të mirë të çështjes. Si u mbrojt dhe u menaxhua me aq kujdes deri sa i erdhi ‘radha’ te digjet?! Kishte një super staf të kualifikuar e mbi të gjitha mjaft të përkushtuar që punonte pa pushim ditë e natë. Por puna e stafit u shumëzua me zero. U dekurajua, ju hoq mbështetja logjistike. Me çfarë do të mbrohej pastaj gjithë ajo zonë pa mbështetjen e duhur dhe mjetet në dispozicion?!
Së dyti
Vetë zona a kishte infrastrukturë kundër zjarrit?!
Për këtë mjafton të shohim fotot satelitore të zonës. Që kur janë krijuar këto sipërfaqe pyjore, inxhinierët e talentuar të Shërbimit Pyjor shqiptarë e kanë parashikuar jo vetëm këtu por në të gjithë brezin pyjor bregdetar edhe situatën e zjarreve. Një nga mënyrat më të thjeshta, më efektive dhe me kosto minimale ka qenë ajo e ‘brezave mbrojtës’. Këto janë korridore toke nëpër pyll, pa drurë. Pra janë si rrugët e pa asfaltuara pak a shumë. Kjo është bërë për të pasur mundësi për të ulur sa më shumë dëmtimin e pyllit, duke e izoluar zjarrin në parcela të vogla. Dhe nga fotot ajrore duket se zona ka qene mjaft mirë e organizuar në korridore të tilla. Pra do të mjaftonte një mjet i mekanizuar për të pastruar këto korridore nga halat dhe degët e rëna të pishave dhe zjarri do të ndalej aty. Mund të duhej që vende-vende edhe të priteshin drurë a filiza të mbirë në vite. Por kjo nuk do të kishte asnjë kosto krahasuar me humbjen e pyjeve të famshme të Pishë Poros.
Është çudi e madhe se si nuk janë përdorur brezat mbrojtës në këtë rast për izolimin e zjarrit.
Së treti
A ka interes për zhvillimin turistik kjo zonë?!
Sërish duke parë pamjet satelitore të zonës, ndryshe nga pjesa më e madhe e bregdetit shqiptar, nga Vlora e deri në Velipojë që është nën kërcënimin e madh të erozionit, bregdeti këtu ka pasur një dinamikë tjetër. Brezi ranor bregdetar këtu ka ardhur duke u shtuar. Kjo ka bërë që rëra të jetë mjaft e shkrifët. Për më tepër, syri i ‘zhvilluesit’ të resorteve turistike është ndjerë më i sigurt se kudo tjetër prej frikës së erozionit. Erozioni të shkatërron pronën, pra investimin. Kjo duke i shtuar edhe faktin që zona është pasuri publike, d.m.th ka dhe kosto të papërfillshme për ta përdorur për biznes. Nga pikëpamja e zhvillimit turistik, po ashtu zona ka qene krejtësisht e lirë. Asnjë resort, asnjë strukturë turistike. Gjithë ajo hapësirë e mrekullueshme natyrore ka qenë e do të jetë nën syrin ziliqar të ‘investitorëve’, mafies, krimit të organizuar, pushtetarëve e politikanëve të lidhur me ta. Pra, zona është një perlë e pashoqe e bregdetit Adriatik, dhe s’ka asnjë arsye të ishte jashtë vëmendjes së investitorëve. Resort apo panele apo të dyja bashkë.
Së katërti
Po si ka mundësi që zona ka qenë shumë e përshtatshme për ta menaxhuar zjarrin, zjarrfikëset e rajonit dhe ndihma nga ajri ishin prezente dhe zjarri serish nuk u fik?
Një trajner i zgjuar, nëse ka vendosur ta humbasë ndeshjen, e bën atë në mënyrë mjeshtërore. Nuk ka nevojë të flasë a ti tregojë asgjë lojtareve të tij. Thjesht mjafton ti vendosë paksa ‘ndryshe’ në fushën e lojës, duke i bërë lëmsh nga rolet natyrale dhe rezultati do të jetë si do ai.
Nëse kombinojmë pyetje – përgjigjet e mësipërme nuk është e vështirë të kuptohet se pse është djegur zona me e bukur natyrore e bregdetit tonë.
Veçse, askush nuk duhet të çuditet nëse “krejt papritur” na shfaqet para syve projekti i hartuar vite më parë i ndërtimit të super – resortit turistik, e që po “krejt papritur” i erdhi fati në derë që kjo “tokë meqenëse është e djegur, më mirë ta përdorim për turizëm se të rrije kot ashtu si shkretëtire”. E thjeshtë fare pra. Në fillim bëjmë projektin, pastaj i vëmë zjarrin pyllit që të sajojmë arsyen dhe në fund zbatojmë projektin që duam. Thjesht “një pikë e vockël” nga pasuria jone publike është, 900 hektarë. Asgjë më shumë. Ka ndonjë arsye tjetër?! Ne kemi Mafien te Porta, gjithnjë gati të rrëmbejë, plaçkisë e vrasë, njerëz, prona, të ardhmen. Pushteti është bërë palë dhe ortak me të.