Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar detaje tronditëse nga hetimet e SPAK për zëvendëskryeministren Belinda Balluku, duke treguar se çelësi i hetimit që çoi në hapjen e dosjes penale ishte telefoni i sekuestruar i ish-drejtorit të ARRSH-së, Ervis Berberi.
Sipas Lalës, hetuesit pretendojnë se kanë zbuluar të dhëna që lidhen me një takim të zhvilluar në Turqi, ku kanë qenë të pranishëm Belinda Balluku, kryeministri Edi Rama dhe dy biznesmenë turq — fitues të një tenderi publik që më parë ishte fituar nga kompania shqiptare “Gjoka shpk”, por më pas ishte anuluar dhe rifituar nga kompania turke.
Gazetarja shtoi se, sipas burimeve hetimore, pas deklaratës publike të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj në një intervistë televizive, fotot e takimit janë fshirë nga rrjetet sociale.
Por hetuesit amerikanë kanë ndihmuar në rikuperimin e imazheve dhe të dhënave digjitale, që më pas janë krahasuar me lëvizjet e Ballukut dhe Ramës në sistemin TIMS, si dhe me bisedat e gjetura në celularin e Berberit.
“Janë rikuperuar të dhëna që tregojnë lëvizje, komunikime dhe përputhje datash mes Berberit, ministres Balluku dhe biznesmenëve turq,” – theksoi Lala.
Ajo zbuloi gjithashtu se SPAK ka sekuestruar edhe dy celularë të tjerë, të cilët u përkasin bashkëpunëtoreve më të afërta të Ballukut, si dhe ka kontrolluar një zyrë që mendohet të përmbajë dokumente kyçe për tenderat e dyshuar.
Hetimet pritet të zgjerojnë rrethin e personave të përfshirë, ndërsa Balluku mbetet zyrtarisht nën hetim për “shkelje të barazisë në tendera” — një nga dosjet më të nxehta të momentit në politikën shqiptare.








