Dom Pjetër Gruda, kleriku, intelektuali dhe artisti i artit skenik, misionar që jetoi burrërisht Ferrin e diktaturës

0

Shkruan Ndoc M. Shaben

Është i fundit klerik që ka vdekur në kushte torture në gjithë Lindjen komuniste. Vetëm 3 muaj para se të shpallej amnistia e klerikëve, i paralizuar prej shumë kohësh dhe i mbajtur në burgun nr. 305 në Sarandë, kleriku Dom Pjetër Gruda dha shpirt mes mundimesh të mëdha.

Pjetër Palok Gjeloshi Gruda, lindi në fshatin Grudë të Malit të Zi më 1 gusht 1922. Studimet e formimin për meshtar i bëri në Kolegjin Saverian e Seminarin Papnor në Shkodër.
Meshën e parë e kremtoi më 1946. Që nga ky vit filloi misionin e tij meshtarak duke u emëruar famullitar në Shkrel. Prej aty më vonë u transferua në Sheldi. Aty qëndroi deri në vitin 1967, vit ky kur u mbyllen Kishat dhe tempujt tjerë fetar nga regjimi komunist në Shqipëri.
Dom Pjetër Gruda ishte intelektual dhe artist i artit skenik.
Pas mbylljes së tempujve dhe institucioneve fetare, Dom Pjetër Gruda, si shumica e klerikëve tjerë. Qe detyruar të punonte si punëtor krahu në Ndërmarrjen Bujqësore të Bushatit. Kështu krijimtaria e tij intelektuale, do të ndërpritej brutalisht nga regjimi çnjerëzor e antikulturor komunist.
Me talentin artistik që kishte, Dom Pjetër Gruda do të ishte bërë regjisor i njohur, po të mos i ndërpritej krijimtaria. Kujtojmë se vuri në skenë shumë pjesë teatrore, ndërmjet të cilave dramën “Flije Atdheut”.
Është dënuar dy herë nga regjimi komunist. Herën e parë u dënua dhe vuajti dënimin në vitet 1946-1951 në kampe pune të detyruar. U arrestua për herë të dytë më 11.3.1979 në Bushat me motivin agjitacion e propagandë dhe stimulim arratisje. Për këtë arrestohet dhe dënohet pa faj edhe nji i ri në Rranxa D. Lukaj. Arrestimi i dom Pjetrit u ba në Rranxa kur po mirëmbante rrugën e Trushit ndërsa e D Lukës me nji skenar interesant. Shefi i kuadrit i NB Bushat e fton me shku në Tiranë. Ndalen rrugës në Laç dhe aty ia dorëzon policisë. Është interesant fakti se 13 vjet kanë fjetë në nji dhomë me Pater Anton Lulin dhe çdo natë secili prej tyre ka thanë meshë në vetmine e vet, pa e ditë tjetri. Këtë e kanë publikue në gjygj. U akuzua për agjitacion e propagandë dhe tradhti ndaj atdheut dhe u dënua më 5.11.1979 me 25 vjet heqje lirie.
Gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit u paralizua, por megithëkëtë regjimi komunist e mbajti sërish të burgosur.
Siç provohet nga komunikata ditore e Ministrisë së Punëve të Brendshme, publikuar nga studiuesi Kastriot Dervishi. Kleriku Pjetër Gruda vdiq i paralizuar më 13.1.1989 në kampburgun nr.305 të Përparimit të Sarandës në moshën 67-vjeçare dhe u varros në varrezat e fshatit Përparim.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu