Donald Trump pritet të deklarohet i pafajshëm në gjykatën e Nju Jorkut

0

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump është konsultuar me avokatë në Kullën Trump në Nju Jork, tek përgatitej të përballej me akuza penale që bëjnë histori.

Ai ka qenë nën hetim për paratë e paguara për t’i mbyllur gojën, pak para zgjedhjeve të vitit 2016, një ylli pornografie, që thotë se ata kishin bërë seks. Trump nuk e pranon akuzën.

Masat shtesë të sigurisë janë vendosur nga autoritetet që presin protesta jashtë gjykatës së Manhattan të martën.

Trump, 76 vjeç, është ish-presidenti i parë amerikan që përballet me një çështje penale.

“Gjueti shtrigash” shkroi republikani në platformën e tij “Truth Social” pak para se të nisej nga shtëpia e tij në Florida për në Nju Jork të hënën – një udhëtim që tërhoqi vëmendjen e të gjitha kanaleve të mediave amerikane.

Të martën në mëngjes, dhjetëra policë dhe oficerë të gjykatës, si dhe agjentë të Shërbimit Sekret pritet të shoqërojnë zotin Trump nëpër rrugët e Nju Jorkut në kompleksin e gjykatave të Manhatanit të Ulët.

Akuzat me të cilat ai përballet do të bëhen të plota në seancën dëgjimore, e cila është caktuar për rreth orës 14:15 me orën lokale (19:15 BST). Avokatët e tij tashmë kanë thënë se ai do të deklarohet i pafajshëm.

Ish-presidenti pritet që fillimisht të dorëzohet në zyrën e prokurorit të qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg. Më pas ai do të ngrihet në gjykatë – që do të thotë se akuzat do të lexohen dhe ai do të deklarohet.

Trump ka qenë nën hetim për një transfertë bankare prej 130,000 dollarësh nga ish-avokati i tij, Michael Cohen, tek ylli i filmave për të rritur, Stormy Daniels, përpara zgjedhjeve presidenciale të 2016-ës.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu