Dorëzohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve 21 mijë firma të mbledhura nga qytetarët për projektligjin e përcaktimit të minimumit jetik. Sipas aktivistëve është e domosdoshme që të ketë një formulë për të përcaktuar minimumin jetik që kategoritë në nevojë të mund të përballojnë shpenzimet mujore.
“Kemi depozituar mbi 21 mijë nënshkrime pranë Komisionit Zgjedhur të Zgjedhjeve për nismën ligjvënëse nga qytetarët, për përcaktimin e minimumit jetik me ligj. 21 mijë nënshkrime janë mbledhur në kohë rekord, brenda 2 muajsh. Duhet përcaktuar një herë e mirë formula e minimumit jetik që më pas në varësi të inflacionit, rritjes së çmimeve, të rritet dhe vlera e minimumit jetik”, ka thënë Viki Çipi nga Organizata Politike.
Aktivistët sqaruan se sipas afateve ligjore KQZ në fillim të vitit të ardhshëm duhet të japi përgjigje zyrtare për projektligjin. Më pas të kalojë në komisionet parlamentare.
“KQZ ka 30 ditë kohë kalendarike për të verifikuar nënshkrimet. Ne në fillim të Janarit 2023 presim përgjigje zyrtare nga KQZ-ja, besojmë se përgjigjia do jetë pozitive dhe më pas do procedojmë me depozitimin e projektligjit dhe procedurës në Kuvend”, ka thënë Çipi.
Nëse marrja në shqyrtim nga komisionet parlamntare do të vonohet aktivistët kanë lajëmruar se do të ketë edhe protesta.
“Është e sigurt që do thërrasim protestë kur projektligji të shkojë në komisionet parlamentare. Ka rrezik le të themi që parlamenti ta bllokojë procedurën e diskutimit”, ka thënë Arlind Qori.
Minimumi jetik është indikatori social kryesor i cili përdoret për vlerësimin e varfërisë dhe cilësisë së jetës në një vend. Shqipëria është i vetmi shtet në Europë që nuk e ka përcaktuar një minimum të tillë.