Dosja ‘Ahmetaj’/ SPAK heton tendera në 7 bashki: Ish-ministri ndërhyri që të përfitonin miliona euro miqtë e tij Zoto e Mërtiri

0

Shkruan Kujtim Topuzi

Jo vetëm për inceneratorët! SPAK po heton edhe nëse lidhja miqësore e Arben Ahmetajt me dy bosët e inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, mund t’i ketë favorizuar ata të merrnin tenderë në të paktën 7 bashki në vend.

Episodet që SPAK i përmend në dosjen 320 faqe të cilën Report Tv e disponon, nisin në vitin 2012, kur Ahmetaj ishte deputet në opozitë dhe vijojnë me periudhën kur ai u bë ministër i Zhvillimi Ekonomik Tregtisë dhe Sipërmarrjes.

7 ish-kryebashkiakë socialistë përmenden në bisedat e Arben Ahmetaj me Mirel Mërtirin për ‘punë që duhen kryer’ apo ‘kafe që duhen pirë’. SPAK arrin në përfundimin se pas këtyre bisedave në disa bashki janë fituar në vlera miliona euro tenderë nga kompani të administruara nga Zoto e Mërtiri.

“Gjatë bisedave të ndryshme të zhvilluara me Arben Ahmetaj, konstatohet se ky i fundit shpreh interes dhe ka një angazhim maksimal për disa punë të ndryshme, ku janë përfshirë Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, duke mbështetur vërtetësinë e faktit se kontrata që Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto lidhin me institucione të ndryshme sjellin përfitime të drejtpërdrejta edhe për Arben Ahmetajn”- thuhet në dosjen e Ahmetajt.

FIERI

Dosja e SPAK fillon me Fierin, ku del se në përgjime Arben Ahmetaj i kërkon ish-kryebashkaikut Baftjar Zeqaj, aktualisht deputet të takohen në një kafe me Mirel Mërtirin.

“I dashur duam të ulemi këto ditë për kafe, unë ti dhe Klod Mërtiri… Ben Ahmetaj.”- thuhet në dosjen për Arben Ahmetajt.

Ndërsa në një moment tjetër Mirel Mërtiri i shkruan Arben Ahmetajt:

“Baftjari është në Tiranë. Sapo më thanë. Të lutem shumë e rëndësishme mos bën ndonjë muhabet pa lidhje në ministri të Transporteve…”- thuhet në dosje.

Sipas SPAK, në mesazhet e shkëmbyera mes Mërtirit dhe Zotos, dy bashkëpunëtorëve në biznes, flitet për pagesa që duhet të kryhen nga Bashkia Fier.

“Nga Fieri u bë ndonjë pagesë? – citohet në dosjen e SPAK.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, kompania “Teo Alb” në pronësi të Klodian Zotos ka përfituar mbi 3.5 milionë € në 6 vite nga “Ujësjellës-Kanalizime Fier”, nga data dhjetori 2010 deri në mars 2016. Pagesa ishte për vendosjen e matëseve të ujit me sistem elektronik.

SARANDA

Pas Fierit, SPAK përmend në dosje edhe Bashkiën e Sarandës kur udhëhiqej nga Stefan Çipa. Emri i tij del vetëm një moment në përgjime kur Mirel Mërtiri i kërkon Arben Ahmetajt numrin e kryebashkiakut për ta telefonuar dhe më pas për ta takuar. Për Bashkinë e Sarandës Prokuroria e Posaçme nuk flet për ndonjë tender konkret.

PËRMETI

“Mbaroi me sukses, urime PS Përmet” – thuhet në dosje.

Kjo është një pjesë e shkëputur nga dosja e SPAK, ku citohet një mesazh që Mirel Mërtiri i ka dërguar Arben Ahmetajt.

Mirel Mërtiri: Mbërrita në Përmet, jam me Gilbertin!

Arben Ahmetaj: Ma përqafo se është djalë i mbarë

Mirel Mërtiri shkon në Përmet dhe takohet me kryebashkiakun e asaj kohe, Gilberto Jaçen, ku sipas SPAK bisedojnë në lidhje me projekte që do të përfitojnë.

“Për Përmetin morëm premtimin”, shkruan në një mesazh Arben Ahmetaj drejtuar Mirel Mërtirit.

Në hetimet e SPAK del se ish-kryebashkiaku i Përmetit i dërgon dokumentet e bashkisë Klodian Zotos, në lidhje me mbledhjet dhe vendimet për Ujësjellës Kanalizime Përmet. Si përfundim, Gilberto Jaçe vendoset edhe si përfaqësues i Këshillit Bashkiak për Asamblenë e aksionerëve të Ujësjellësit Përmet. Edhe në këtë rast, SPAK nuk konkludon se këto lidhje miqësore e biseda të përgjuara të jenë konkluduar me dhënien e ndonjë tenderi.

DIVJAKA

Në dosjen e SPAK hetimet për Bashkinë e Divjakës nisin me një bisedë të vitit 2012 ku Arben Ahmetaj i nis Mirel Mërtirit numrin e kryetarit të atëhershëm të bashkisë Fredi Kokoneshit. Për Divjakën SPAK thotë se Shoqëria “C.G.C” Sh.p.k e themeluar nga Stela Gugallja, partnerja e Mirel Mërtirit, fitoi ankandin për blerjen e gazit natyror në vendburimin e Divjakës, pranë “Albpetrol”. Kjo sipas hetimeve të SPAK shfaqet në disa e-maile të Klodjan Zotos.

SPAK rendit disa vendime, që në një koment në dosje, i cilëson si forcë të pushtetit Ahmetaj-Mertiri-Zoto të për të shtrirë bizneset në disa drejtime. konkretisht, si ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes në atë kohë, Ahmetaj kaloi aksionet e Ujësjellës Kanalizime Divjakë nga ministria te Bashkia e Divjakës. Gjithashtu Ahmetaj liroi nga detyra anëtarët e këshillit mbikëqyrës të “Albpetrol Patos” dhe emëroi anëtarë të rinj.

BERATI

Në dosjen e SPAK del në skenë edhe Bashkia Berat, kur drejtohet nga ish ish-kryebashkiakut Fadil Nasufi. Ky i fundit del në mesazhet mes Arben Ahmetajt dhe Mirel Mërtirit.

Arben Ahmetaj: Si ka ec andej?

Mirel Mërtiri: Gjërat po ecin me ritmin e duhur….Sot isha në Berat, u bë mbledhja, çdo gjë vajti shumë mirë.

Pas këtyre mesazheve, në dosjen e SPAK thuhet se kompanitë “ITS” dhe “FMO” të Mirel Mërtirit e Klodian Zotos fitojnë tenderin për instalimin e 12 mijë matësave të ujit, tender i aprovuar dhe i firmosur nga vetë Fadil Nasufi. Financimi ishte 2.78 milionë euro pa TVSH.

KORÇA

Edhe në Korçë sipas asaj që ka hetuar dhe po heton SPAK Mirel Mërtiri me Klodian Zoton, falë ndërhyrjes së Arben Ahmetaj, sipas prokurorisë, arrijnë të përfitojnë një tender për matësat e ujit me vlerë 3.3 milionë euro në 11 shkurt të vitit 2013. Po në Korçë kompania “FMO” e përfaqësuar nga Arenc Myrtezani, një nga të akuzuarit e arrestuar për aferën e inceneratorëve, përfiton gati 2 milionë euro milionë euro për ndërtimin e një objekti fotovoltaik. Në këtë projekt del edhe emri i një italiani, Francesco Pistritto, një konsulent bankar, i cili sipas dosjes së SPAK luan një rol të rëndësishëm edhe në veprime të tjera të mëpasshme të Arben Ahmetaj.

“Nga aktet e administruara deri tani, shfaqet interesant, roli i një shtetasi italian, Francesco Pistritto, në marrëdhëniet që ka me Klodian Zoton, Mirel Mërtirin, dhe Arben Ahmetajn si dhe punët e tyre të përbashkëta”- thuhet një dosje.

POGRADECI

Në Bashkinë Pogradec, në dosjen e SPAK thuhet se Arben Ahmetaj ka ndërhyrë që ish-kryebashkiaku Artan Shkëmbi t’i japë tendera miqve të Ahmetajt. Janë 1.5 milionë euro të përfituara nga kompanitë “ITS” dhe “TeoAlb” të Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos për vendosjen e matësave të ujit, e njëjta skemë siç SPAK citon edhe në bashkitë e tjera.

Arben Ahmetaj: Me 2000 matësa sa shkon projekti?

Mirel Mërtiri:430. 000

Gjithashtu, ITS ka deklaruar se ka kryer shitje te Ujësjellës Kanalizime Pogradec në vlerën rreth 3 milionë euro, çfarë nënkupton se ka pasur tendere të tjerë të marrë nga Zoto dhe Mërtiri.

Në konkluzion për rastet e përmenduara në dosje, SPAK thotë se Arben Ahmetaj nuk kishte vetëm miqësi, por me Mërtirin dhe Zotin e lidhin biznese të përbashkëta fitim-prurëse dhe sipas SPAK për ndihmën që i ka dhënë për të fituar tendera, edhe vetë Ahmetaj është shpërblyer.

“Ekziston dyshimi i arsyeshëm në prova se Arben Ahmetaj ka shfrytëzuar funksionin e tij si deputet apo ministër, për të gjitha episodet e sipërcituarta, me qëllim që t’i siguronte Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos, fitimin e procedurave të mësipërme, duke u shpërblyer për ndërhyrjet e tij apo ushtrimin e pushtetit në favor të tyre”- thuhet në dosje.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu