Studiuesi i njohur i letërsisë, esteti, kritiku letrar, Ibrahim Rugova, tri herë kishte qenë në Shqipëri. Pas vizitës së tretë në Shqipëri në vitin 1980, Rugova kishte deklaruar: “Tani u binda përfundimisht se në Shqipëri nuk ka liri krijimtarie. Ata shkrimtarë janë shndërruar në burokratë. Krijuesve u jepen klishetë dhe ata punojnë”
Hyrje
Edhe 30 vjet pas përmbysjes së komunizmit, shumë shoqëri të vendeve lindore merren me trashëgiminë e shërbimeve sekrete. Fashikulli i dokumenteve të deklasifikuara për Ibrahim Rugovën përmban informata dhe raporte në harkun kohor 1968-1988. Ato kryesisht janë raporte që nxjerrin në pah indiferencën e Rugovës ndaj regjimit komunist të Shqipërisë dhe atij jugosllav. Rugova na shfaqet një studiues që shpërfill metodat e realizmit socialist, si një shkencëtar i formatit të madh, i cili e inauguron vetëdijen mbi vlerën e traditës, siç do ta quante ndryshe medievisti Dmitry Likhachov “memorien letrare” të kombit. Në këtë punim, në formë të interpretuar ose të cituar, gjithnjë sipas rregullave të AIDSSH-së, janë paraqitur bisedat e përgjuara të Ibrahim Rugovës me personat që ai i kishte kontaktuar dhe komunikuar si dhe pikëpamjet e tij për krijimtarinë artistike dhe shkencore në Shqipëri dhe zhvillime të ndryshme brenda Kosovës.
Përmes dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit Shqiptar, për herë të parë sjellim një pasqyrë dhe analizë më të plotë të përmbajtjes së dosjes për Ibrahim Rugovën, i cili, pas rënies së komunizmit u bë lider politik dhe president i Kosovës. Por, dokumentet i përkasin një periudhe para fillimit të ndryshimit të regjimit komunist, saktësisht viteve 1968-1988, që ishin krijuar dhe administruar nga Drejtoria e Tretë e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë, e cila, siç dihet, kishte për detyrë ta organizonte punën agjenturore të disa institucioneve qendrore, si Lidhja e Shkrimtarëve, Pallati i Kulturës, Instituti i Lartë i Arteve dhe institucione të tjera shkencore dhe kulturore, që frekuentoheshin nga Ibrahim Rugova dhe studiues të tjerë shqiptarë nga Kosova.
Survejimi i Rugovës nga punonjësit dhe bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit në Tiranë nuk është një rast i veçantë, por një metodë tashmë e njohur e punës të të gjitha shërbimeve sekrete në vendet komuniste të Evropës Lindore, të cilat ishin të interesuara të mësonin çfarë mendimesh dhe pikëpamjesh kishin studiuesit për tema të caktuara shkencore dhe politike. Përveç kësaj, regjimi komunist në Tiranë provonte që kontaktet e Rugovës dhe të studiuesve të tjerë nga Kosova të ishin sa më të limituara, meqë ekzistonte frika e përhershme se studiuesit kosovarë, si përkrahës të rrymës moderniste në letërsinë që krijohej në Kosovë, do të mund të ndikonin në thyerjen e klisheve të realsocializmit të thellë që aplikohej në Shqipëri. Në të njëjtën kohë bëheshin përpjekje që studiuesit shqiptarë të përdoreshin edhe si transmetues dhe glorifikues të propagandës dhe të ideologjisë që kultivohej brenda shtetit shqiptar.
Në këtë punim do të analizohet dhe do të interpretohet përmbajtja e dokumenteve, informatave dhe raporteve të ish-Sigurimit të Shtetit Shqiptar për Ibrahim Rugovën, në kohën kur propaganda ideologjike e Partisë së Punës, përmes shtypit të kohës po bënte përpjekje për ta projektuar modelin shqiptar të sistemit socialist si më të avancuar, ndërkohë që vetë mënyra e krijimit të dosjeve edhe për elitën intelektuale shqiptare në Kosovë dhe mërgatë vërteton se shteti shqiptar po bënte një luftë të vazhdueshme kundër armiqve imagjinarë, të brendshëm dhe të jashtëm. Duke iu referuar dokumenteve arkivore të Sigurimit të Shtetit, njëkohësisht provohet qëndrimi i heshtur, por edhe i vendosur për të refuzuar çdo mundësi që ai të shërbejë si instrument glorifikues i propagandës ideologjike të PPSH-së. Fokus i veçantë i trajtimit të dokumenteve do të jetë prezantimi i mënyrës së skicimit dhe survejimit të studiuesit dhe eseistit të Institutit Albanologjik të Prishtinës, Ibrahim Rugova, dhe paraqitja e linjës së Partisë së Punës në raport me zhvillimet në Kosovë, që në të shumtën e rasteve na shfaqet e vagullt dhe pa identitet.
Me këtë rast, për dallim nga intencat dhe synimet mediatike, punimi im shkencor si intencë kryesore në eksplorimin e dokumenteve arkivore ka zgjerimin, thellimin, rikonceptimin dhe riintegrimin e njohurive shkencore për fenomenet dhe të kuptuarit teorik të ndërveprimit midis aktorëve të ndryshëm. Etika e hulumtimit përfshin një sërë vlerash, normash dhe marrëveshjes institucionale që ndihmojnë krijimin dhe rregullimin e aktiviteteve shkencore. Për më tepër, ky është edhe rregulli i citimit dhe i referimit për çdo studiues, i kornizuar me dokumentet e hartuara nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH).
Arkivat janë si minierat, përmbajnë një thesar të çmuar të dokumenteve, por ato duhen trajtuar me profesionalizëm. Studiuesit konstatojnë se arkivat nuk janë mauzoleu i historisë, por një thesar i municionit të saj. Historianët e mirë dinë jo vetëm si të përpunohen dhe të restaurohen dokumentet dhe dorëshkrimet, por, gjithashtu, ata janë ekspertë të eksplozivit, të cilët e dinë saktësisht se si i duhet qasur materialit eksploziv! Çdo studiues duhet të jetë i vëmendshëm gjatë hulumtimit të dosjeve të tilla, sepse aty ka emra dhe të dhëna që shpeshherë nuk përkojnë me realitetin, janë hartuar me hamendje dhe nga bashkëpunëtorë të padijshëm.
Edhe në këtë rast, hulumtimi i dokumenteve arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit, i dosjeve të krijuara për Rugovën dhe personalitetet e tjera të kulturës, artit dhe politikës na mundësojnë ta njohim të kaluarën e shoqërive dhe regjimeve të së kaluarës. Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit Shqiptar na mundësojnë ta njohim të kaluarën komuniste dhe t’i demistifikojmë mitet komuniste shqiptare, si mësim për brezat e sotëm. Rëndësia e trajtimit të së kaluarës ka për qëllim parësor ballafaqimin me të kaluarën.

Çfarë përbëjnë dokumentet e shërbimit sekret komunist shqiptar?
Kanë kaluar tri dekada qëkur regjimi komunist shqiptar kolapsoi dhe bashkë me të edhe policia sekrete shqiptare, e cila kishte depërtuar në çdo skutë të shoqërisë shqiptare, madje ajo ishte bërë pjesë edhe brenda familjeve, anëtarët e të cilave, bile edhe bashkëshortët, e spiunonin njëri-tjetrin.
Drejtoria e Sigurimit të Shtetit ose Sigurimi, që nga momenti i vendosjes së diktaturës staliniste ishte vënë nën kontrollin e Enver Hoxhës, respektivisht nga Koçi Xoxe (1911-1949), një teneqexhi me prejardhje sllavo-maqedonase, i cili terrorizoi çdo qëndrim opozitar dhe që nga kjo periudhë filloi krijimi i dosjeve sipas modelit të vendeve komuniste të Evropës Lindore. Siç shkruajnë Bernd Fischer dhe Olivers Schmitt, opozita e moderuar shqiptare do të terrorizohej nga policia e fshehtë e sapokrijuar nga Xoxe, që rreth vetes kishte afruar kryesisht elementët projugosllavë. Ky institucion famëkeq për afro pesë dekada i përndoqi shqiptarët brenda dhe jashtë vendit. Llupës së operatorëve të Sigurimit të Shtetit Shqiptar nuk i shpëtuan as shqiptarët e Kosovës, sidomos ata që hynin brenda territorit të Shqipërisë. Sipas dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës së Shqipërisë, regjimi komunist i Tiranës ushtronte një censurë dhe kontroll të ashpër jo vetëm ndaj punës dhe aktivitetit të studiuesve dhe artistëve që jetonin në Shqipëri, por edhe ndaj atyre që ishin në anën tjetër të kufirit, në viset shqiptare, si: Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi e të tjera. Lista që pasqyron kontingjentin e përpunuar nga Sigurimi i Shtetit në fushën e artit dhe të kulturës, në periudhën e viteve 1970 dhe 1980, është shumë e gjerë, si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë. Numri i kontingjentit të intelektualëve që përndiqej dhe përpunohej nga Sigurimi i Shtetit rezulton mjaft i gjerë në fushën e artit dhe kulturës, që nga studiuesit Idriz Ajeti, Ali Hadri, Din Mehmeti, Rexhep Qosja, vijonte me eseistin dhe studiuesin e letërsisë Ibrahim Rugova dhe mbyllej me emrat e krijuesve të rinj. Në ndjekjen e artistëve dhe shkrimtarëve, Sigurimi i Shtetit kishte rekrutuar një ushtri të tërë bashkëpunëtorësh, të cilët ishin pranishëm kudo dhe ndiqnin secilin të huaj, kudo që ai shkonte. Në dokumentet e kësaj periudhe shohim se lista e spiunëve të profilizuar, që vinte kryesisht nga bashkëpunëtorët në art dhe kulturë, fshihej prapa emrave të koduar: “Sokoli”, “Deti”, “Besa”, “Lapsi”, “Bereta”, “Sharra”, “Çekiçi” e të tjerë.
Në këtë mes bënin pjesë edhe studiuesit shqiptarë nga Tirana, të cilët ishin të detyruar të bënin raporte të detajuara mbi lëvizjet dhe pikëpamjet e çdo studiuesi që qëndronte në Shqipëri. Në këtë atmosferë studiuesit nga Kosova, madje çdo vizitor, nuk mund të frekuentonte i papenguar dhe pa përcjellje nga familje shqiptare apo njerëzit e artit e të kulturës. Prandaj, gjithsecili, edhe Rugova duhej të tregohej i kujdesshëm të mos nxiste ndonjë incident me njerëzit e Sigurimit të Shtetit apo bashkëpunëtorët e tyre. Ishte kjo periudha e kulmit të Luftës së Ftohtë dhe kur Shqipëria komuniste edhe diplomatët e akredituar në Tiranë ndiqeshin hap pas hapi, madje edhe nga vendet komuniste dhe për gjëra krejt banale mund të dëboheshin për “veprimtari të dyshimtë” që, sipas autoriteteve shqiptare, kapeshin nga agjentët shqiptarë dhe konsideroheshin non grata.
Regjimi komunist në Shqipëri synonte t’i bënte për vete shkrimtarët dhe intelektualët shqiptarë nga Kosova, të cilët e vizitonin shtetin shqiptar në mënyrë individuale apo me delegacione. Në këndvështrimin e regjimit të Tiranës këta intelektualë duhej të mbaheshin të kontrolluar, të përndiqeshin dhe të survejoheshin çfarë bisedonin dhe me kë takoheshin, kështu që, të përdoreshin mundësisht si instrument i propagandës komuniste kur të ktheheshin në vendin e tyre, me qëllim që ta paraqitnin Shqipërinë si një vend model. Pjesë e atij mekanizmi, që shërbente për t’i orientuar mendjet e elitës intelektuale shqiptare nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare nën Jugosllavi ishte Sigurimi i Shtetit, një institucion që kishte rekrutuar me apo pa forcë edhe intelektualë dhe studiues shqiptarë në Tiranë. Prandaj, kontakti me çdo person duhej të ishte i kujdesshëm, pasi ishte e qartë se llupës së operativistëve të Sigurimit të Shtetit nuk mund t’i shmangej askush, pra as studiuesit dhe artistët nga Kosova. Për ta mbajtur në shina këtë pjesë të shqiptarëve të Kosovës, të cilët kishin privilegjin ta vizitonin edhe Shqipërinë dhe ta krahasonin atë me vendet e tjera të Lindjes dhe Perëndimit, Sigurimi i Shtetit, përmes Drejtorisë së Tretë të Ministrisë së Brendshme kishte angazhuar specialistë për përgjimin dhe evidentimin e lëvizjes, kontakteve dhe bisedave të tyre gjatë qëndrimit në shtetin shqiptar. Sigurisht, në këtë kontekst Sigurimi i Shtetit kishte një avantazh në krahasim me vendet e tjera, sepse mysafirët nga Kosova nuk mund të lëviznin askund pa shoqërues shqiptarë, të cilët zakonisht ishin të detyruar të hartonin raporte të detajuara për këto lëvizje dhe vizita. Shpesh kjo ndërmarrje, në kontekstin aktual, na shfaqet edhe si absurde dhe banale, por kjo ishte një praktikë e njohur e të gjitha vendeve komunist në Evropën Lindore.
Për të arritur një kontroll total ndaj tyre, sipas platformës së Byrosë Politike të PPSH-së, ajo gjë i ishte ngarkuar me ligj Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Sigurimit të Shtetit, i cili në çdo hap i ndiqte lëvizjet, komunikimet, telefonatat, publikimet, madje kontrollonte rregullisht edhe korrespodencën që shkrimtarët e artistët mbanin përmes letrave me miqtë dhe shokët e tyre në dy anët e kufirit. Sigurimi i Shtetit e kishte ndarë punën agjenturore në art dhe kulturë në bazë territoriale, saktësisht nëpër institucione, të cilat, pa përjashtim, duhej ta propagandonin vijën politike të Partisë së Punës së Shqipërisë. Përmes institucioneve me rëndësi të madhe politike dhe kulturore, si Lidhja e Shkrimtarëve, Instituti i Gjuhës dhe i Letërsisë, Radiotelevizioni Shqiptar e të tjera, Tirana zyrtare provonte të luante një rol të rëndësishëm në edukimin ideopolitik, shkencor dhe kulturor të artistëve dhe shkrimtarëve në rang të Shqipërisë dhe jashtë saj, në viset etnike shqiptare nën Jugosllavi. Ishin institucione që shpesh frekuentoheshin nga elita intelektuale shqiptare e Kosovës dhe nga viset e tjera etnike nën Jugosllavi.
Në këtë kuadër, me interes për Sigurimin e Shtetit ishte edhe kontakti i studiuesve shqiptarë me kosovarët rezidentë në Shqipëri, shumica syresh të zhgënjyer nga ajo që kishin përjetuar në shtetin komunist shqiptar. Përgjoheshin dhe përpunoheshin deri në detaje bisedat, qëndrimet dhe pikëpamjet e tyre për regjimin jugosllav, si dhe atë shqiptar, të cilin përpiqeshin ta paraqitnin më të avancuar në krahasim me atë jugosllav. Siç dihet tashmë, hapja dhe kontrolli i letrave bëhej kryesisht te “Shtëpia me gjethe”, që ishte ngjitur me Postën Shqiptare, si dhe në dy-tri baza të tjera në Tiranë (vila sekrete), të cilat ishin nën vartësinë e sektorit “Evidenca operative dhe kontrolli postar”. Gjatë gjithë periudhës së Luftës së Ftohtë Hoxha e kishte mbyllur vendin e tij, i kishte vënë qytetarët shqiptarë nën mbikëqyrje totale dhe e kishte bërë Shqipërinë një vend ku frika ishte e madhe prej punonjësve të Sigurimit të Shtetit. Për këtë arsye, me rënien e regjimit komunist, interesimi për të mësuar për dosjet dhe mënyrat e operimit dhe të trajtimit të qytetarëve nga Sigurimit i Shtetit ishte e jashtëzakonshëm. Shpejt u mësua se kjo çështje ishte më e komplikuar sesa ishte menduar fillimisht, kishte të atillë që në të shkuarën kishin qenë informatorë, edhe pse vetë kishin qenë viktima të Sigurimit të Shtetit.
Prej thashethemeve deri tek konstatimi se “mban qëndrim të mirë, flet për gjuhën shqipe”
Sipas Rregullores nr.2268, e datës 19.11.1968, së Drejtorisë së Tretë, fashikulli personal çelej për të arratisurit, emigrantët ekonomikë, por edhe për qytetarët e huaj që e vizitonin Shqipërinë. Në grupin e këtyre të fundit është hapur për çështje studimore edhe fashikulli për Ibrahim Rugovën, i cili përmban informata, relacione dhe raporte që i përkasin periudhës kohore ndërmjet viteve 1968-1988. Sigurimi i Shtetit do të përpilonte informacione, raporte, të cilat, sipas nevojës, mund t’u kaloheshin edhe prej strukturave më të larta të shtetit komunist shqiptar. Te fashikulli i Rugovës, ashtu si edhe te personalitetet e tjera, gjejmë edhe informacione banale dhe thashetheme, që dëshmojnë banalitetin e së keqes të regjimit komunist shqiptar, i cili shpenzonte kohë, energji dhe financa të jashtëzakonshme vetëm e vetëm që t’i mësonte qëndrimet dhe orientimet që kishin intelektualët shqiptarë nga Kosova, rrymat e ndryshme në art dhe kulturë, si dhe për pikëpamjet e tyre ndaj regjimit komunist të Shqipërisë dhe atë të Jugosllavisë. Këtu, në detaje, përfshihen edhe raportet që kishin intelektualët shqiptarë me njëri-tjetrin dhe cili prej tyre shprehte më pak ose më shumë simpati për Tiranën, përkatësisht Beogradin, ose cili prej tyre shpërfaqte elemente “borgjeze” dhe “reaksionare”.
Edhe pse në ato raporte informacionet për Rugovën nuk janë të shumta, kryesisht flitet me tone pozitive ose, siç thuhet në dokumentin e datës 24.2.1969, Rugova “mban qëndrim të mirë, flet për gjuhën shqipe”. Ndërkaq, për intelektualët e tjerë nga Kosova nuk mungojnë edhe vlerësimet se ky apo ai njihen si “njerëz jo të mirë”. Megjithëse vizitat e grupeve të studiuesve dhe intelektualëve të njohur kosovarë ishin të mirëpritura në Tiranë, regjimi i vjetër komunist kishte po aq mosbesim, sa ndaj vetë elitës intelektuale në Shqipëri. Në përgjithësi, shteti i atëhershëm shqiptar synonte të mësonte më shumë për pikëpamjet dhe orientimet e tyre politike dhe qasjen shkencore, por edhe mundësisht të influenconte në krijimtarinë e tyre shkencore.
Prandaj, dokumentet e tilla, të prodhuara nga një regjim diktatorial duhen studiuar, me qëllim të rishqyrtimit historik të veprimtarisë së ish-Sigurimit të Shtetit Shqiptar, si dhe për një hulumtim të thelluar dhe sistematik të një problemi ose çështjeje specifike, duke përdorur metodat shkencore. Ata që duan t’i shfrytëzojnë këto dokumente për të kuptuar veprimtarinë e bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit do të gjejnë një sërë materialesh interesante. Ndërkohë kush mendon se mund të gjejë ndonjë të dhënë për veprimtarinë e studiuesit Ibrahim Rugova ndoshta do të zhgënjehet. Dosja e Rugovës përfshin një periudhë të kufizuar kohore, 1968-1988, pra aty nuk mund të gjejmë diçka për fillimet e angazhimit të tij politik në fund të viteve ‘80. Si në vendet e tjera komuniste të Evropës Lindore, nuk përjashtohet që në momentin e shpërbërjes së regjimit komunist shqiptar sigurimi i atëhershëm i shtetit shqiptar të ketë zhdukur ose të ketë shkatërruar dokumente të caktuara.
Qëllimi i këtij hulumtimi ka qenë trajtimi i një teme të caktuar për të zbuluar fakte të reja dhe për të vërtetuar hipoteza. Prandaj, publikimi i dokumenteve gjithmonë bëhet i pjesshëm dhe pa dëmtuar figurën historike të personaliteteve të caktuara. Por, në rastin e Rugovës duhet pranuar se nuk ka pasazhe të përgjimeve nga bisedat private në ambiente familjare. Kjo praktikë e krijimit të dosjeve ka qenë e pranishme në të gjitha vendet komuniste të Evropës Lindore dhe, si duket, është instaluar sipas formave që kishte krijuar KGB-ja në Bashkimin Sovjetik. Në shumë vende të Evropës Lindore ka pasur shërbime sekrete të ngjashme, por, sigurisht, puna me dosjet funksionon shumë ndryshe. Edhe 30 vjet pas përmbysjes, shumë shoqëri merren me trashëgiminë e shërbimit sekret. Për hapjen e serisë sonë lidhur me përpunimin e dosjeve të shtetit të atëhershëm komunist duhet veçuar rasti i dosjes së ish-kancelarit gjermano-perëndimor, Helmut Kohl, që ishte krijuar nga Shërbimi i Fshehtë i Republikës Demokratike Gjermane (Stasi), e cila përmbante një material prej 7000 faqesh me përgjime telefonatash e bisedash, por që për publikun u bënë të qasshme vetëm pas vendimit të Gjykatës Administrative Federale, në vitin 2004. Sipas këtij vendimi, publiku mund t’i shihte vetëm 1000 faqe, me qëllim të mos cenohej personaliteti i ish-kancelarit historik. Për më tepër, për dallim nga vendet e tjera ish-komuniste, në Gjermani kapërcimi i së kaluarës dhe zbardhja e historisë së dosjeve ka qenë relativisht e lehtë, sepse RDGJ-ja mbaroi së ekzistuari në vitin 1990.

Çfarë përmban fashikulli i Rugovës?
Fashikulli i Ibrahim Rugovës, nr.8084, me numër të dosarit 163, përmban një numër relativisht të ulët të dokumenteve, vetëm 14 dokumente të klasifikuara si tepër sekrete. Informacioni i parë biografik për Rugovën është i datës 6. 9.1968, i dhënë nga deponimi i një emigranti nga Kosova. 22 shkurt 1969 është data e regjistrit të çeljes së kartelës top-sekret të Rugovës, ndërsa arsyeja e regjistrimit konstatohet se ka qenë qëndrimi i mirë dhe angazhimi për studimet e gjuhës shqipe si dhe vizita e tij në Shqipëri më 8 shtator 1968. Ky fakt tregon se regjimi komunist shqiptar i Tiranës synonte të mbante nën lupë secilin vizitor nga Kosova, e veçanërisht ata që vinin nga bota e artit dhe e letërsisë, t’i bënte ata për vete me qëllim që ta fshihnin realitetin dhe mungesën e lirisë në Shqipëri. Vizitorët nga Kosova vazhdimisht ishin nënshtroheshin syrin e fshehtë të operativistëve të Sigurimit të Shtetit. Pikërisht për të mbajtur nën llupë këtë pjesë të përzgjedhur të krijuesve shqiptarë nga Kosova, të cilët kishin privilegjin që të vizitonin Shqipërinë për çështje studimore, Sigurimi i Shtetit, përmes Drejtorisë së Tiranës, kishte angazhuar disa nga specialistët, disa syresh që vinin edhe nga korpusi i artistëve dhe krijuesve shkencorë, puna e të cilëve ishte ndjekja, përgjimet dhe përpunimet e informacioneve për personalitete të ndryshme shqiptare jashtë që hynin brenda territorit të Shqipërisë komuniste.
Dokumentet për Rugovën, siç nënvizuam më lart, i përkasin punës së Drejtorisë së Tiranës në periudhën mes viteve 1968-1988. Pikërisht kjo drejtori kishte për detyrë të organizonte punën agjenturore në disa institucionet qendrore shqiptare, siç ishin Biblioteka Kombëtare, Teatri i Operës, Instituti i Lartë i Arteve, Lidhja e Shkrimtarëve e të tjera, e ku zakonisht frekuentoheshin nga studiuesit e ndryshëm nga Kosova. Dosja me dokumentet e Rugovës sjell një numër të dhënash të përgjithshme dhe bisedash të përgjuara, që tregojnë se Sigurimi i Shtetit provonte të amortizonte pikëpamjet dhe mendimet e “dëmshme” për kohën.
Më 10.7.1971, punëtori operativ Dervishi Mero përpilon një relacion për Ibrahim Rugovën dhe Rexhep Ismailin. Informatat e tjera janë nxjerrë si burime të dyta në raporte të shkurt-qershorit 1974, nga punëtorët operativë D. Mero, Josif Dedja, Bashkim Bramo. Informatat janë me karakter të përgjithshëm. Dosja e tij përmban shënime për tri vizitat që i ka bërë në Shqipëri:
– nga 24 maji deri më 4 qershor 1971, bashkë me Rexhep Ismailin, duke qenë student i vitit të katërt dhe redaktor i revistës “Bota e re”, më pas nga 26 maji 1974 deri më 7 korrik 1974, i ftuar nga Instituti i Gjuhës dhe i Letërsisë në Tiranë, si dhe vizita e tretë u bë në mars të vitit 1980, më 5 mars, kur ai ishte ftuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë. Gjatë kësaj vizite Ibrahim Rugova, tashmë emër i njohur në elitën shqiptare, u mor seriozisht nga regjimi komunist i Shqipërisë. Por, fashikulli ka një ndërprerje informacioni prej shumë vjetësh dhe kjo dëshmon se shteti shqiptar nuk kishte qasje dhe burime shumë të besueshme brenda Kosovës.
Pra, për dallim nga dosjet që krijoheshin për studiuesit dhe artistët shqiptarë, të cilët shpeshherë përfundonin nëpër burgje, internime apo ekzekutive, dosjet për intelektualët shqiptarë janë të një natyre krejt tjetër. Qëllimi kryesor ndaj tyre ishte të kufizohej çfarëdo ndikimi “borgjez” mbi elitën intelektuale shqiptare dhe të mbrohej nga ndonjë mision i mundshëm i tyre që kishte për qëllim cenimin e rendit komunist shqiptar. Siç shihet nga dokumentet e fashikullit të Rugovës, Sigurimi i Shtetit provonte ta mbante atë nën vëzhgim të përhershëm dhe, si të gjithë të tjerët, t’i mbante të kufizuar në kontakte si me qytetarë të Shqipërisë, në veçanti edhe me kosovarët, të cilët i konsideronte të dyshimtë ose si agjentë të mundshëm jugosllavë. /Koha Ditore