TIRANË- Mazhoranca është dakord në parim me kërkesën e Partisë Demokratike për të hapur dosjet e ish Sigurimit të Shtetit. Qëndrimi i PS u konfirmua nga ministrja e Shtetit, Elisa Spiropali, e cila tha se duhet të ulen dhe të punojnë me PD për të rënë dakord. Spiropali tha se dosjet e sigurimit duhet të hapen për t’u ndarë njëherë e mirë nga e shkuara.
Ky reagim i Spiropalit erdhi në Komisionin e Ligjeve, e cila u pyet nga kreu i Grupit të PD-së, se cili është qëndrimi i saj për kërkesën e opozitës që për hapjen e dosjeve dhe dekomunistizim.
LEXO edhe…
Sulmet kibernetike, Spiropali: Kemi gati planin për forcimin e sigurisë! U kemi dërguar raportin aleatëve, DASH, NATO-s dhe Komisionit Europian
Spiropali tha se ata që i kanë shërbyer ish Sigurimit të shtetit, nuk duhet të jenë më pjesë e politikës. Por ministrja u ndal në një pikë kyçe, duke theksuar që nuk janë dakord që të hapen ato dosje të cilat identifikohen si kërcënim i sigurisë kombëtare.
“Referuar propozimit tuja, për deklasifikimin e dokumenteve që kanë lidhje me sigurimin e shtetit, me sa kuptoj nga opinioni që ka dhënë autoriteti nuk ka asgjë të keqe. Do ishte gjëja e duhur për tu bërë që të ketë deklasifikim por duke ruajtur diskrecionin e autorit, që kur identifikohen dokumentet që kanë lidhje me sigurinë kombëtare të mos deklasifikohen. Kjo duhet diskutuar për të rënë dakord. Janë pak çështje që ne biem dakord por Një çështje që kërkon pastrimin e politikës por edhe jetës publike nga njerëz q që kanë ushtruar aktivitete të dëmshme dhe kriminal dhe atë kohën që kanë qenë pjesë e hiearkisë se sigurimit, të mos kenë më vend në politikë. Ne kemi disa propozimet tona në ligje të tjera, kodin zgjedhin, ligjin për autoritetin nga nevoja që ka lindur dhe nga kërkesa e autoritetit për të hequr pengesë për të hequr verifikimet e mëparshme. Do ta bëjmë si element të vullnetit tonë të fortë për tu ndarë njëherë e mirë nga e shkuara”, tha Spiropali.
Nisma për hapjen e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit është depozituar në Kuvend nga 17 deputetë të PD para nisjes së këtij sesioni të ri parlamentar. Edhe socialistët bënë gati dragtin për ta dorëzuar në Kuvend, për të eliminuar të gjitha pengesat ligjore që i mohonin Autoritetit të Dosjeve të drejtën për të verifikuar politikanët që më herët janë pajisur me certifikatën e pastërtisë së figurës nga komisionet Mezini-Bezhani në vitet ’90.
Kjo lëvizje vjen pasi Autoriteti i Dosjeve të ish Sigurimit i raportoi Kuvendit se pas sinjaleve në e-mail nga një qytetar që kishte tentuar të arratisej nga vendi pak para viteve ’90 kishte faktuar se ish-presidenti Ilir Meta ishte bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të shtetit, pra kishte spiunuar te Sigurimi planin e arratisë së shokut të tij, pretendim që vetë Meta, tashmë kreu i Partisë së Lirisë, e ka mohuar.
SI.E./