Merita Hajdari është “milionere” në letra me pesë kompani.
Por në të vërtetë është thjesht një grua e pastrehë, identiteti i së cilës dyshohet se është përdorur për skemën fiktive që lidhet me inceneratorët.
E ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Hajdari tha se kërkon drejtësi dhe të mos i lakohet më emri në media, ndërkohë që kërkon edhe takim me Edi Ramën.
Copëza nga biseda:
Ylli Rakipi: Për Klodian Zoton ke dëgjuar ti?
Merita Hajdari: Edhe ky e gjeti te unë që jam fukareshë? Unë se njoh fare as dua ta njoh. Unë biznesmene… Unë jam fukareshë. Jam hallexhie, unë nuk jam bose.
Ylli Rakipi: Po për inceneratorët ke dëgjuar gjë?
Merita Hajdari: Nuk marr vesh. Unë dua vetëm drejtësinë time, sepse ditë për ditë mua po më del emri në televizion. Unë nuk dua gjë, as para asgjë.
Aleksandra Bogdani: Nuk ju mori njeri në pyetje? Nuk ju thanë mund të bëni kallëzim?
Merita Hajdari: Më thanë vetëm po të kishe problem, do të të kishin marrë. Më thanë rri e qetë se nuk ke probleme ti.
Aleksandra Bogdani: Ne nuk e dimë si ka funksionuar me zonjën, por ka të dhëna që ka një falsifikim dhe ajo dyshon që emri i saj është përdorur në mënyrë kriminale nga persona të tjerë. Indiferenca është e pashpjegueshme. Ky është një mini episode i skemës së madhe.
Merita Hajdari: Unë socialiste jam, po socialistët na bënë gropën. Unë nuk kam as lekë, as shtëpi. Të paktën të më heqin emrin, mos më nxjerrin me në televizor. Të më dali e drejta ime që nuk kam faj. Unë nuk dal dot në rrugë. Dua ballafaqim me Edi Ramën.
Ylli Rakipi: Do takim me Edi Ramën? Po ndoshta të pret ai.