Tensionet në zonën e Thethit vijojnë të përshkallëzohen ndërsa Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) po çon përpara aksionin për shembjen e ndërtimeve pa leje.
Mësohet se gjatë ditës së sotme disa persona kanë gjuajtur me molotov fadromat e IKMT si dhe urën në lagjen “Gjelaj”. Dëmet janë të konsiderueshme, ndërkohë që policia është vënë në ndjekje të autorëve të cilët mbeten ende të paidentifikuar.
Si rezultat i përshkallëzimit të situatës, raportohet se forca nga FNSH janë nisur drejt Thethit nga kryeqyteti për të ndihmuar autoritetet.
Ndërkohë në një video nga zona e Thethit shihet qartë që policia ka nxjerrë armët në një veprim komplet të papërgjegjshëm dhe jashtë çdo logjike.
Në videon e mëposhtme shihet që një efektiv mban një armë automatike në krah drejtuar nga zona e malit nga ku dyshohet se janë hedhur molotovët dhe janë larguar autorët.
Ndërkohë që nga mbrapa largohen fadromistët dhe punonjësit e IKMT-së të cilët po punonin për prishjen e ndërtesave pa leje.
Drejtimi i armëve ndaj qytetarëve nga ana e policisë tregon edhe nivelin në të cilin ka rënë ky institucion. Në çdo vend të botës, përdoren plumba gome, gaz lotsjellës për të larguar turmat, në Zheth ndodh e kundërta armët e mbushura i drejtohen popullit.