Dy anë të një shkrimi të Edi Ramës

0
Shkruan Jani Malo
Edi Rama – “djali i Anetës dhe nipi i Petro Kolekës nga Vunoi” – shkrimin e tij të gjatë në facebook e titullon: “HISTORIA E NJË PRONE TË PARË NGA DY BOTË TË NDRYSHME”.
Shtrëngohem të them që në hyrje se, sa më thellë hyja në lexim, aq më shtohej dhe dyshimi mos kisha ngecur në ndonjë profil fals të kryeministrit, i cili, për hir të së vërtetës, dallon për finesë dhe stil në të shkruar. E pata zor të besoj ta kishte shkruar ai. Po dyshimi zgjati aq pak minuta, sa iu desh patronazhistëve të dilnin nga vrimat e profileve të tyre dhe ta përhapnin shkrimin gjithandej në pyllin e dendur të facebooku-t me shpeshtësinë e reklamës së ilaçit të hemorroideve.
Atëherë edhe unë e mora seriozisht leximin. Mësova që në hyrje se “çorba e madhe e gënjeshtrave për pronat në Himarë” qenka gatuar në Athinë dhe konsumohet në Tiranë. Shoh se si kryeministri i vendit bën kujdes kur flet për Greqinë, nuk shan kuzhinën greke, të cilën me gjasë e shijon me mikun e tij Micotaqis, por vetëm një pjesëz, atë të “qarqeve ekstremiste greke”. Më poshtë dalloj qytetarin e frustruar Edi Rama, i cili nuk mundohet të qëmtojë fjalë të matura, por zemërimin me ata që duan ta fusin “në kategorinë e mjerë të të korruptuarve” e nxjerr duke vërvitur egërsisht fjalë e togfjalësha, që e pakta, nuk mund të quhen të denja kur përdoren për publikun e gjerë nga një burrë shteti.
E vërteta është se shkrimi e tregon hapur padëshirën e qytetarit Edi Rama për ta dërguar mesazhin e tij tek kryeministri i vendit, ndryshe “librit të sharjeve” do i duheshin shtuar faqe të tjera për të stigmatizuar gjithë “çorbën” që ka gatuar me pronat çdo pushtet në këta 30 e kusur vjet. Po aq e qartë është edhe mungesa e ndjeshmërisë së kryeministrit të vendit për qytetarin Edi Rama, ndryshe do kishim një mea culpa për gjithë çka qenë në dorën e tij për t’u bërë e nuk është bërë në këta 11 vite të pushtetit absolut. Por që të mos i hamë hakun autori është i aftë të bëjë tok tokat e Himarës me pronat e Petro e Spiro Kolekës, për të cilat “qenefët e atyre në Tiranë pa din, iman, fe e as atdhe, vijuan të jashtënxjerrin rrena me bisht”.
Më pas kujdeset të spërkasë me pak parfum keqardhjeje “kanalet e llumit mediatik”, të tregojë me gisht ‘kllounët e ekstremizmit grek në Athinë dhe të paudhët pa atdhe të ujërave e të listave të zeza të Shteteve të Bashkuara në Tiranë”, të na rrëfejë se në Greqi çorba, qoftë ajo edhe ekstremiste, u gatuaka në kuzhinë, ndërsa në Tiranë gatuhet nëpër qenefë. (Mbase e bën që t’u mbajë shqiptarëve gjallë kujtesën e një kohe kur gatuhej nëpër hale.)
Po le ta lexojmë edhe ndryshe shkrimin. Flitet aty për një pronë që akoma e kërkojnë shkallë më shkallë, qysh prej viteve ‘90”. Mua nuk më intereson dhe as marr përsipër të them nëse pronat e familjes së nënës së tij në fshatin Vuno të Himarës, duhet të ktheheshin ose jo, por si qytetar kam të drejtën e plotë të mendoj se kalvari i mundimshëm i shqiptarëve me pronat – përfshi këtu edhe ato të himarjotëve, po deshët edhe “odisea” e Kolekajve – duhet të kishte marrë fund me kohë. Nëse e ka harruar Edi Rama nuk e kam harruar unë atë që u tha delvinjotëve 11 vjet më parë, më 2 qershor 2013, vetëm 20 ditë para 23 qershorit të famshëm kur i dha një milionë shuplaka “gjyshit me antiplumb dhe 200 roje”:
“Ne do të bëjmë transparencën më të plotë publike për gjithë ç’ka ndodhur me pronat e bregut, me pronat e shqiptarëve, me ato prona të të parëve të tyre dhe me ato prona të përbashkëta tonat, nga ta cilat nuk mund të lejojmë që të përfitojnë një grusht grabitqarësh, por duhet të krijojmë kushtet që të përfitojë i gjithë populli shqiptar.”
E kam të vështirë të besoj se Edi Rama harron që, nga ’90 e këtej, 1/3-ën në këtë “histori të sajuar maskarenjsh nga Athina e nga Tirana” e kanë shkruar socialistët që qeverisën kur Edvini “ishte thjesht një piktor me thonj të paprerë që flinte nën urat e Parisit”, 1/3-ën e dytë e shkruan ata që “shkelnin me të dyja këmbët çdo ligj e zakon, për të grabitur ç’të mundeshin me hijen e pushtetit dhe me ligje e vendime qeverie të kopsitura për interesat e tyre, të familjarëve e të tarafeve të tyre”, ndërsa 1/3-ën e tretë e shkroi vetë Edi Rama, siç ia deshi mideja, që kur shpiku “rilindjen” e u bë zot i timonit, kazanit, tepsive dhe tavave në kuzhinat lokale e qendrore. Pra gatoi “çorbën” që deshi, ose e gatuan sejmenët me recetën e tij fituese.
Atëherë pse Edi Rama nuk bëri atë që premtoi? Kush e pengoi kryeministrin e sotëm t’ua kthente pronat shqiptarëve, himarjotëve, në doni edhe Kolekëve të tij? Pse e pranoi ai realitetin që “më pak se 5% e njerëzve të kthehen në latifondistë tokash me dhjetëra e me qindra hektarë, ndërkohë që nuk kanë asnjë lidhje tjetër me këtë zonë përveç lidhjes që e krijojnë nëpërmjet labirinteve të korrupsionit kriminal me pronat e shqiptarëve”?
Në këtë vend çudirash është shumë kollaj të nxjerrësh të larë Edi Ramën e të bësh me faj një plakë që i paska thënë 11 vjet më parë: “aman mos e zgjat me programin, një pikë të ketë programi na e hiq këtë Saliun nga televizori”. Dhe i vetmi premtim që mbajti Edi Rama ishte amaneti i plakës. Bëri si bëri dhe Saliut i la ballkonin për të folur. Televizorin e zuri vetë.
Sinqerisht do desha edhe unë të rreshtohesha në anën e atyre që kryeministrit i “kanë bërë nderin e jashtëzakonshëm të besimit të tyre për të udhëhequr Shqipërinë”. Por nuk mundem të besoj se këtej e tutje Edi Rama do e ketë seriozisht me pronat dhe nuk do të vijë përsëri e përsëri sa herë t’i duhet “para shqiptarëve për të treguar përralla”. Kush të dojë është i lirë të besojë se koha e përrallave mbaroi dhe erdhi dita kur “nuk ka gjë më të madhe se sa të lësh gjurmët e një kujtimi të mirë”.
Mbase më e vlerë në këtë mesele është të kuptuarit e arsyes madhore që e paska penguar kryeministrin e vendit tim për të mbajtur premtimet e dhëna 11 vjet më parë para shqiptarëve. Ai e thotë me plot gojën dhe me krenari – për hir të së vërtetës krenar duhet të ndihemi të gjithë – se deri dje paskej qenë në kërkim “të kënaqësisë së një dite të vetme si kjo në detyrë, kur Himara u gdhi e çliruar nga mjegulla e gjatë e një historie për t’u shkruar njëherë tjetër”.
Përtej të qenit të kësaj një vepër e lartë dhe e shenjtë kombëtare Edi Rama ka meritën e të treguarit me elegancën e një modesti të përkorë – pa e thënë me fjalë – se ai, në mos qoftë shpikësi, është shpëtimtari i patriotizmës shqiptare. Paçka se mund të ketë lënë shteg të hapur për “shpifjet e lehaqenve” se me zgjedhjen e tij Bashkinë e Himarës ua la grekëve – edhe Tavo edhe Gjikuria janë të vetëdeklaruar grekë – dhe Himarën – si edhe deri më sot – oligarkëve.
Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu