Sipas burimeve për News24, Kuvendi ka pranuar pjesërisht shkresën e Bardhit, duke rikthyer në grupin parlamentar të PD-së deputetët Tritan Shehu, Flamur Noka dhe Oerd Bylykbashi.
Po ashtu në faqen online të Kuvendit shihet lehtë përbërja e grupit parlamentar demokrat dhe mes emrave bien në sy edhe deputetët, të cilët ishin përjashtuar nga Lulzim Basha.
Kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi iu drejtua Kuvendit javën e kaluar përmes një shkrese duke bërë të ditur se anuloheshin të gjitha masat disiplinore ndaj deputetëve të djathtë.
Mes të përjashtuarve, përfitonte edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili është pezulluar nga grupi parlamentar i PD me vendim të Lulzim Bashës në 9 shtator 2021 dhe më pas përmes ndryshimeve statutore të PD në Kuvendin e 18 dhjetorit 2021, u përjashtua.
Por emri i Sali Berishës nuk është marrë në konsideratë nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla, ndërsa në faqen e Parlamentit i përket listës së deputetëve jashtë grupeve parlamentar.
Iniciatori i rikthimit të të gjithë të përjashtuarve në PD, Gazment Bardhi tha se njeh grupin parlamentar demokrat si të tërë, atë që u shpërfaq në mbledhjen e 5 shtatorit 2023, përfshirë në të edhe Sali Berishën.