E rëndë/ Treni me studentë del nga shinat në Gjermani, viktima dhe të plagosur

0

Të paktën tre persona u vranë dhe rreth 60 të tjerë u plagosën pasi një tren doli nga shinat në shtetin juglindor të Bavarisë në Gjermani.

Treni, i cili transportonte kryesisht studentë, po shkonte për në Mynih kur tre vagonë ​​dolën nga shinat pranë  Garmisch-Partenkirchen.

Nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi aksidentin, tha një zëdhënës i policisë.

Imazhet e publikuara nga mediat lokale tregojnë disa vagona treni të shkatërruar në anë të shinave.

Gjashtëmbëdhjetë nga të plagosurit raportohet të jenë në gjendje të rëndë. Gjashtë helikopterë, duke përfshirë tre të ardhur nga rajoni austriak i Tirolit, kanë qenë në vendngjarje për të ndihmuar të plagosurit, teksa operacioni i shpëtimit është ende në vijim.

“Njerëzit po nxirren nga dritaret”, tha policia.

Autoritetet deklarojnë se nuk përjashtohet mundësia që mes të plagosurve të jenë shumë studentë të cilët festonin fillimin e pushimeve verore.

Aksidenti ndodhi rreth orës 13:15 me orën lokale (11:15 GMT), pak pasi treni u nis nga Garmisch-Partenkirchen për në Mynih.

Një pjesë e rrugës midis Mynihut dhe Garmisch-Partenkirchen është bllokuar dhe trafiku është devijuar, bën me dije operatori hekurudhor gjerman Deutsche Bahn.

Një ushtar amerikan i vendosur në një bazë ajrore aty pranë po kalonte me makinë kur treni doli nga shinat. Ai tha për mediat lokale se aksidenti kishte qenë i tmerrshëm dhe se treni u përmbys papritmas.

Kujtojmë se përplasja hekurudhore më vdekjeprurëse e Gjermanisë në kohët moderne ndodhi në vitin 1998 kur një tren me shpejtësi të lartë doli nga shinat në Eschede në Saksoninë e Ulët, duke vrarë 101 njerëz.

Përplasja më e fundit fatale në vend ndodhi në shkurt, kur një person humbi jetën dhe 14 të tjerë u plagosën në një përplasje midis dy trenave pranë Mynihut.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu