Shkruan Sokol Pepushaj
Pas triumfit autokratik të Edi Ramës, ku “vrau” një të vdekur me 83 “plumba”, fshihet vetërasja e tij.
Sulltani i Surrelit, i mallkuar nga fati dhe ambicia, arriti një “fitore” të pa dokumentuar deri sot në librat e rendit shoqëror dhe hiperbolizmit hyjnor të sistemit ku vota e sovranit vendos.
Para se të ndodhë kjo tragjedi shqiptare, ku opozitën e vranë dështimet dhe qeverinë sukseset, të dy bashkë, kishin vrarë demokracinë, lirinë, barazinë para ligjit, dhe kishin krijuar një boshllëk plot kaos e “kufoma”.
Më të afërmit e Sali Berishës, ose janë vrarë, ose janë zverdhur si gjethe vjeshte, më besnikët e Edi Ramës kanë patur fat më të mirë, ose në burg ose në qeverisje.
Këtej, ka dekada që është përmbysur rendi njerëzor.
Diplomacia ndërkombëtare, që ende nuk i njeh zakonet tona, vazhdon lavdëron çdo dështim që paketohet si sukses, por edhe çdo katastrofë ligjore që stolis me alegori të botanikës së vlerave etike çdo skutë makthi e aparence në 4 shtyllat e sistemit të sotëm mafioz.
Drejtësia, Mafia, Media dhe Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, i kanë sytë katër e veshët pipëz, si po sillen me gjëndjen të mëdhenjtë e kësaj Bote.
Samiti i BE-së ka zbritur në Tiranë.
Në kullën e Sali Berishës, ka filluar gjëma e vdekjes burrërore, në Sarajet e Edi Ramës, ceremonia e fitores është po kaq e dhimbshme.
E drejta romake, mbështetur këtë herë mbi trupin e demokracisë që nuk merr frymë, mbështillet me mantel gruaje.
Kur një grua hyn mes burrave, ata duhet t’i ulun shpatat.
Georgia Meloni e zgjidhi disi konfliktin. Kurorën e fitores e vendosi mbi një kafkë.
Gjithë burrat e gratë e BE-së e duartrojitën. Një anglez trim, e vuri gishtin në këmbëz të sanksioneve kundër Vladimir Putinit, pastaj të gjithë shtrënguan duar dhe u larguan, për t’u takuar kur dhe ku t’i thërrasë një nevojë tjetër.
Nuk mund të ndodhte më mirë se kështu, në këtë mort të demokravisë sonë.
Babloku priti në funeralin e vet miq e armiq, sipas normave, ku respekti për të vdekurin, është shenjë kulture edhe në altar të errësirës.