Kryeministri Edi Rama bëri një deklaratë befasuese këtë të premte në hapjen zyrtare të fushatës elektorale të zgjedhjeve të 11 majit, duke thënë se në vitin 2030, Shqipëria do të ketë një kryeministre grua.
“E kemi hapur trasenë për të ndërtuar dy ose tre aleanca shumë strategjike që do ta shndërrojnë, mbajeni mend sot këtë fjalë dhe në 2030 me ndihmën e Zotit do të shihemi përsëri, se do të vijmë të mbështesim kryeministren grua. Në vitin 2030 Shqipëria do të drejtohet nga një grua”, tha Edi Rama.
Rama tha më tej se lista e kandidatëve të Partisë Socialiste i ka përfaqësuar në mënyrën më dinjitoze gratë dhe vajzat shqiptare.
Rama se 52 % e kandidatëve në listat e mbyllura të PS, janë vajza e gra.
Ai tha gjithashtu se shumë gra dhe vajza nga Partia Demokratike i janë bashkuar PS-së në këtë fushatë elektorale.
“Ju sot keni 71 përfaqësuese në skuadrën tonë të 11 majit. Dhe keni 1/3 e drejtuesve politikë të PS-së. Por shifra më e bukur është 52% i plotë në listën e mbyllur, i cili është i juaji, jo i burrave dhe i djemve.
Unë kam besuar gjithmonë që hendekun absurd të tifozllëkut, absurditetit mes luftës politike këtu në Shqipëri të trashëguar nga e kaluara, mund ta ngushtojnë vetëm gratë dhe vajzat.
Kurajo e Zamirës, në listën e Vlorës, për të na u bashkuar ne, duke ardhur nga kampi tjetër, unë jam i bindur që nuk është rastësi dhe rast i veçuar i një momenti elektoral, ndërkohë që gra dhe vajza të kampit tjetër u janë afruar apo bashkuar strukturave tona”, tha Rama.