Gazetari Berat Buzhala ka treguar mbrëmjen e sotme prapaskenat e “përplasjes” që ka nisur mes kryeministri Edi Rama dhe ambasadores Yuri Kim. Sipas tij, Rama ka thirrur në takim prokurorët e posaçëm të SPAK, por njëri mes tyre nuk ka pranuar.
I ftuar në emisionin “Top Story”, Berat Buzhala tregoi se prokurori Altin Dumani, i cili është në garë dhe nesër do të intervistohet për kreun e SPAK, i ka thënë “JO” kryeministrit dhe nuk ka pranuar të shkojë në takim.
“Kjo ka bindur amerikanët”, është shprehur Buzhala. Në fakt, prej ditësh në media është thënë nga aktorë të ndryshëm politikë dhe publikë, është thënë se prokurori Altin Dumani është i preferuari i amerikanëve si pasues i Arben Krajës në SPAK.
“Shqiptarët a duan një kryeprokuror që drejtohet nga amerikanët, apo një kryeprokuror që drejtohet nga kryeministri?!”, – vijoi gazetari.
E premtja e 16 dhjetorit do ta gjejë Shqipërinë me një drejtues të re të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të dëgjojnë kandidatët Adnan Xholi, Ervin Kondili dhe Altin Dumani, e më pas brenda të njëjtës seancë do votojnë për drejtuesin e ri.