Media prestigjioze spanjolle El País i ka kushtuar një analizë të gjerë situatës politike në Shqipëri, duke vënë në fokus qeverinë e kryeministrit Edi Rama, akuzat për korrupsion dhe projektin kontrovers të inteligjencës artificiale “Diella”.
Artikulli, i titulluar “Laboratori i Evropës ku Inteligjenca Artificiale lufton ose fsheh korrupsionin”, trajton prezantimin e “Diellës”, një ministre virtuale e ngarkuar me monitorimin e tenderëve publikë. Rama e promovoi projektin si një hap drejt eliminimit të korrupsionit në prokurimet publike, duke theksuar se teknologjia “nuk ka miq, nuk pranon kafe dhe nuk ka frikë nga hakmarrja”.
Megjithatë, analiza e medias spanjolle evidenton skepticizmin e opozitës dhe të ekspertëve, të cilët paralajmërojnë se inteligjenca artificiale nuk mund të zëvendësojë integritetin institucional. Deputetë të opozitës kanë ngritur pikëpyetje mbi përgjegjësinë ligjore në rast abuzimesh dhe mbi transparencën e algoritmit.
Në artikull përmendet edhe çështja e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ndaj së cilës Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kërkoi pezullim për shkelje të barazisë në tenderë publikë. Po ashtu, referohen hetimet ndaj drejtuesve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), të akuzuar për manipulim tenderësh dhe ushtrim presioni ndaj operatorëve ekonomikë.
“Diella”, e prezantuar si simbol i modernizimit dhe transparencës, u shoqërua me reagime të forta politike dhe debate mbi përdorimin e inteligjencës artificiale në administratë. Aktorja mbi imazhin e së cilës u ndërtua avatar-i paditi qeverinë për përdorim të paautorizuar të figurës së saj, duke shtuar polemikat.
Artikulli përfshin edhe opinione të analistëve dhe intelektualëve shqiptarë, të cilët shprehin dyshime mbi efektivitetin real të reformave kundër korrupsionit. Sipas tyre, lufta kundër korrupsionit nuk mund të mbështetet vetëm te teknologjia, por kërkon vullnet politik dhe forcim institucional.
Në përfundim, El País e paraqet Shqipërinë si një “laborator” ku teknologjia përdoret si mjet për transparencë, por ku sfida kryesore mbetet ndërtimi i besimit publik dhe garantimi i pavarësisë së institucioneve.








