Elisa, kujdes në Shkodër, Edonën e “vranë” për “tradhti”

0

Prandaj Elisa, kujdes në Shkodër, vetëm për Saliun “besohet” profecia se kur ai “nusëronte” fajin e kishte vjehrra, e kur u bë vjehërr fajin ja ka “nusja”.

Shkruan Sokol Pepushaj

Edona Bilalin e rrethuan nja 20 burra e gra. E masakruan mes vikatjeve uuu, ooo, iii, thyeja hundën, shqyeje…

Perendor Edi nuk klithi se nuk mori pjesë në këtë spektak;l. Amfiteatri qe ka emrin e Hasan P*rdhës, është arenë luftimesh të ashpra ku luanë e ambasadorë, tigra e hajdutë janë gati të shqyjnë njeri-tjetrin.

Edona nuk ështe as luaneshë e asnjëra kësi monstrash, por ky është fati; të dalë në arenën e burrave, si pre e shembullit të përligjies së dhunës, si rimodelim e kurajim i riskut politik të “Rilindjes” plot ankth e frikë, plot strese e paaftësi.

Përveçse hajdutë po shfaqin edhe simptoma egërsie.

Vijmë nga dhuna në fakt, prandaj edhe këtyre, si paraardhësve, më  mirë u ngjan më e lashta.

Kur masakruan Edonën e futën në një “tunel” afër skutave ku më 16 mars 1997 një tank me gjashtë hajdutë grabiti Thesarin e Shkodrës. Këta e të tjerë, 16 marsin e falsifikuan, e bënë 22 Qershor 1997.

Sot dera e këtij hani nuk u çel me dinamit, por me shqelma. Nuk ishin gjashtë hajdutë, por 20 e ca, dhe me status të këshilltarëve bashkiakë. As tanke nuk kishin me vete, por makina 50 000 dollarëshe.

S’mund të kapnin asnjë lekë, se ishin më pak se gjysma e do plaste sherri, prandaj në zemërim e sipër do “vrisnin” kultin e tyre, më qartë do ndërronin “Zotin” e tyre.

I pari që “qëlloi” mbi drejtuesen politike të PS-së për qarkun e Veriut Edona Bilalin, pasi fshiu duart, shkoi zuri “stolin” në “Dinastinë” e vet, në qoshe të sallës. Nga qoshja tjetër, në shenjë e nguli “shigjetën” edhe përfaqësuesi i “Dioqezës” komshi me banorët e nahijes së profanëve.

Meqë jemi mes hajdutëve dhe të pabesëve, nuk e zgjidhim dot cila palë është më e ndershme.

Ne jemi komentatorë, si në ndeshje gladiatorësh.

Me një “buton”, rreze nukleare a diçka tjetër, salla gjysmë boshe u “bombardua” nga Edona Bilali. Mbushi grushtat me llumin e Partisë dhe ua bëri fytyrën baltë atyre që pak më parë e “vranë” mes ulërimave e në sy të gjithë miletit, pasi kishin thirrur edhe ca hamallë që mbanin kamera e ndanin lajme ne fejsbuk e ekrane turke, serbe e ruse.

Po po, aty në oborr të Hanit të Hasan P*rdhës, djathtas, është hapur edhe një mejhane e madhe, ku mileti tregon përralla e përgojon, ku shiten e blihen vende pune e tenderë. Nëpër një “tunel” të maskuar nën emrin e arkitektit të famshëm Kolë Idromeno, kalohet në rrugën që të nxjerr nga Isa Boletini që mban kobure në dy duart, si në luftë.

Po “luftë” po bëhet këtej.

Pasi e “vranë” Edona Bilalin, në mistikën e legjendës, kemi Melekët dhe Apostujt  që e  “murosin” në themelet e Pushtetit.

Edona ishte me fat. U muros e “vrarë”. Nuk ju kërkua të sakrifikonte njërin gji jashtë… Murosjet model Rozafa janë të dala boje. Njerëzit nuk duan qumësht, duan miliona dollarë. Tashmë edhe në një themel pallati, mafia murosë njerëz të gjallë.

Po, plot gjallëri legjenda vazhdon.

Meqë me burrat, PS-ja në Shkodër s’ngjit asnjë të përpjetë, pasi vetëm vjedhin e kurvërojnë, Babloku u desh të futet në “bisedime” me Elisa Spiropalin   dhe e solli mes atyre që “vranë” Edona Bilalin.

Ata që nga vrasja vijnë prandaj edhe vrasin, pastruan duart, qetësuan zemërimin, ngërdheshjen e bënë qeshje dhe fap, filluan të përqafojnë Elisën.

Sa shpejt harrohet e keqja o njerëz?!

Elisa ne Shkodër ngjan si në botën e çudirave.

Edhe Edona Bilali kur ishte ikonë, kur ndante zekatin, kur përplasjet e fërkimet, grushtet e bërrylat, jo vetëm nuk e dobësonin, por e karikonin, ishte si në zenit të qejfit.

Por qejfi e qederi janë komshi këtej. Ja thyen derën i dyti të parit e ja prishë qetësinë kur nuk e pret, edhe në momentet më ç`ekulibruese të natyrës njerëzore.

Prandaj Elisa, kujdes në Shkodër, vetëm për Saliun “besohet” profecia se kur ai “nusëronte” fajin e kishte vjehrra, e kur u bë vjehërr fajin ja ka “nusja”.

Prandaj Elisa, kujdes në Shkodër, Edonën e “vranë” për “tradhti”./Pamfleti

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu