Eljaz Guri – histori e gjallë e mundjes klasike shkodrane

0

Shkruan Tonin Frroku

Eljaz Guri është një nga emrat që nuk ka nevojë për prezantim në historinë e mundjes klasike shqiptare, veçanërisht asaj shkodrane. Me tituj të shumtë kampion me fanellën e Vllaznisë, ai ishte pjesë e asaj elite sportive që arriti të rivalizonte denjësisht Partizanin e dikurshëm, ekipin që kishte në përbërje ajkën e mundjes shqiptare.

Ishte viti 1974. Në palestrën e Pallatit të Sportit, një ambient komod për kohën, ne të rinjtë e ekipit të trajnerit Sul Rama stërviteshin gjithmonë para të rriturve të trajnerit të atëhershëm Qazim Elbasani. Ishte një kohë disipline, pasioni dhe ëndrrash të mëdha. Pas stërvitjes, në një cep të palestrës, ne të rinjtë kishim privilegjin të ndiqnim për pak minuta kampionët, mes tyre edhe Eljaz Gurin.
Ai binte menjëherë në sy. Një trup i ndërtuar fuqishëm, muskuj që flisnin për punë dhe sakrificë, por mbi të gjitha një prani që impononte respekt. Eljaz Guri nuk ishte thjesht një mundës i madh; ai ishte model për çdo të ri që shkelte tapetin. Model për forcën, teknikën, korrektësinë sportive, por edhe për humorin dhe njerëzillëkun e tij jashtë tapetit.
Për ne, ai përfaqësonte atë që donim të bëheshim: të fortë në garë, të ndershëm në fitore dhe dinjitozë në humbje. Një kampion i vërtetë, brenda dhe jashtë palestrës.
Sot, në këtë ditë të veçantë, urimi vjen nga shpirti:
Edhe një shekull jetë, Mjeshtër i tapetit.
Me respekt të pafund “Lasko” për atë që i dhatë sportit, për brezat që frymëzuat dhe për emrin që latë në historinë e mundjes shqiptare.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu