Elon Musk ka nisur një tjetër sulm të ashpër kundër Bashkimit Europian, duke e akuzuar hapur për mungesë demokracie, në një sërë postimesh në platformën X. “Bashkimi Europian nuk është DEMOKRACI, sundim i popullit, por BUROKRACI, sundim i zyrtarëve të pazgjedhur”, shkroi miliarderi që kontrollon X, Tesla dhe SpaceX.
Musk gjithashtu shpërndau një postim që e përshkruante BE-në si “një kërcënim ekzistencial për lirinë dhe sovranitetin e Europës”. Në një tjetër mesazh, ai u shpreh: “Ka kaq shumë politikanë në Europë, që tradhtojnë popullin e tyre”.
BE-ja humbet aksesin në panelin e reklamave të X
Tensionet u përshkallëzuan pasi Komisioni Europian humbi aksesin në panelin e monitorimit të reklamave të X, pak ditë pasi i kishte vendosur rrjetit social një gjobë prej 120 milionë eurosh për shkelje të rregullave të transparencës së BE-së.
“Llogaria juaj e reklamave është mbyllur”, njoftoi shefi i produkteve të X, Nikita Bier, përmes një postimi të bërë të dielën në mëngjes. Bier akuzoi Komisionin se kishte tentuar të promovonte një postim lidhur me gjobën duke “shfrytëzuar një boshllëk të sigurisë” për të shtuar artificialisht shtrirjen e tij.
Gjobat dhe akuzat
Komisioni vendosi gjobën për shkelje të Ligjit për Shërbimet Digjitale (DSA), që synon frenimin e përhapjes së përmbajtjes së paligjshme. Sipas BE-së, X ka dështuar të ofrojë transparencë mbi bibliotekën e reklamave dhe ka kthyer shenjën blu të verifikimit nga një mjet identifikimi në një funksion të paguar “që mund të jetë mashtrues”.
“Ironia e njoftimit tuaj”, iu drejtua Bier Komisionit, “është se X beson se të gjithë duhet të kenë një zë të barabartë në platformë. Por duket se ju mendoni se rregullat nuk vlejnë për llogarinë tuaj”.








