“Ëndrrat e Shpirtit”

0

Shkruan Zef Ndreka

Libri i fundit me poezi nga Gjon Marku, që sapo më ra në dorë, “Ëndrrat e shpirtit”!
Një përmbledhje me poezi ndër vite i ndarë me kujdes në pesë pjesë:
* Luftova për të mberur njeri.
* Dehje
* Kujt t’ia lejmë vorret.
* Vulgut
* Ja rriti ngado nderin dhe lavdinë Shqipërisë.
Duhet ta them me zë të lartë se ky libër apo kjo përmbledhje e denjë për një krijues tashmë të njohur, që ka ndërtuar shtratin e vet identitar në art, kulurë dhe letërsi, nuk është thjeshtë një libër poetik, por plot pesë libra të tillë të ndarë në pjesët që sipër shënova.
Ëndërrat e shpirtit – e ka titulluar poeti!
Duhet kohë për ta lexuar dhe analizuar, për ta shijuar.
Por po ndaj sot dy poezi të tij me lexuesit e mi, duke i kërkuar falje poetit pse u ndala sonte aq shkurt këtu vetëm me këto komente, konkretisht:
“Ëndrra e bukur gjithnjë do të mbesë”, dhe
“Shkëndija e Ëndrrave”.
Ëndrra e bukur gjithnjë do të mbesë
Të ta then të dua, nuk mjafton me fjalë,
Ti ishe vetë ëndrra që të ndriste në ballë.
Oh, ëndërr e bukur, ajo ishte shpresa,
Nuk ke çfarë t’i bësh, kështu e paska jeta.
Një ëndërr e bukur që nuk ka të sosur,
Oh, ç’na kishte hutuar, na kishte marrosur.
Shpesh i shprush kujtimet në ditët e djalërisë,
Po dhimbjen në shpirt dot s’e davaris.
Ëndrra e bukur gjithnjë do të mbesë,
Megjithse u shua e u tret çdo shpresë.
Anëve të botës fati ç’na përcolli,
Në ditën e ndarjes, eh, ç’trishtim që mbolli.
Kjo, është një poezi e mbushur me mall dhe kujtime rinie. Autori flet për një dashuri apo përjetim të shenjtëruar që gjithsesi mbetet gjithmonë ëndërr, edhe pasi koha, largësia dhe ndarja e kanë bërë të pamundur.
Mesazhi që përcjell autori është se kujtimet e bukura nuk i shuan as koha, as dhimbja: “Ëndrra e bukur gjithnjë do të mbesë”.
“Shkëndia e ëndrrave”
Mbrëmë atje ndriçonin xixëllonjat,
Mikeshat e ndezura të gardhiqeve.
Mos e shkel barin, aty nisin ëndërrat,
Marrin jetë në puthjen e të rinjëve.
Që ndriçohet nga drita e tyre përrallore,
Atë dritë që s’e mund dotverrësira e natës.
A thua duan t’i japin jetë ëndrrës rinore,
Ndriçojnë lotin e udhëtarit të mërgatës.
Si një shenjë e shpresës së heshtur,
Për të cilën kemi kaq shumë nevojë.
Për ëndrrën aq të bukur e të patretur,
Në dritën e diturisë që të mund të jetojë.
Në këtë poezi shfaqet një ton më shpresëdhënës.
Figura e xixëllonjave që ndriçojnë natën bëhet simbol i dritës së brendshme, i ëndrrave rinore dhe diturisë që nuk e mund dot errësira.
Është një ftesë për ta mbajtur gjallë shpresën dhe ëndrrat, pavarësisht mërgimit apo sfidave.
I ndava enkas këto poezi për ti prezantuar për lexuesit dhe për ti komentuar shkurt, pasi të dyja poezitë i lidh tema e ëndrrës, tema kryesore e librit poetik.
Poezia e parë si kujtim i paharruar, që mbetet i paprekur nga realiteti, ndërsa poezia e dytë si frymëzim e dritë për të ardhmen.
Gjithë libri faktikisht është një kombinim i mallëngjimit dhe optimizmit që i jep atij tonin reflektues e shpirtëror.
Gjej rastin ti uroj miqësisht Gjon Markut suksese siç e meriton, por edhe miqve të mi të artit, ta kenë këtë libër në bibliotekat e tyre…

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu