Eqerem Bej Vlora dhe kontributi i tij në kërkimet Albanologjike

0
Shkruan Kriledjan Çipa
Eqerem Bej Vlora (1885-1964), pinjolli i familjes së mirënjohur të Vlorajve është një personalitet i spikatur, por njëkohësisht kontrovers dhe shumë i debatuar në rrethet e studiuesve, por edhe nga opinioni publik për sa i përket aktivitetit të tij politik. Duke ja lënë detyrën e studimit dhe ndriçimit të dritë-hijeve të tij studiuesve dhe historianëve të historisë moderne shqiptare, në këtë prag përvjetori të shpalljes së pavarësisë, le të kujtojmë kontributin e tij në betejat për mbrojtjen e integritetit të kufijve të Shqipërisë gjatë Luftës Ballkanike në zonën e Himarës, kundër trupave të separatistëve grek të udhëhequra nga Spiro Spiromilo, dhe le të ndalemi në një aspekt tjetër të aktivitetit të tij. Eqerem Beu, duhet pa mëdyshje të vlerësohet si një ndër shqiptarët e parë, i cili u morr me trashëgiminë e pasur kulturore të Shqipërisë dhe promovimin e saj për lexuesit evropian në fillimet e viteve 1900, e kryesisht për publikun Austro-Hungarez. I shkolluar në Zvicër e në Austri ai pati një formim të mirë në kulturën klasike, çka e shtyu, që në rinin e tij të shfaqte interes të madh për historinë, arkeologjinë, etnografinë, dhe të bëhej së bashku me të atin Syrja Bej Vlorën një ndër koleksionistët e parë shqiptar. Në veprat që shkroi, vihen re qartë ndikimet austriake në stilin e të shkruajturit. Librat e tij të parë të botuara në Austri (Qëllimi dhe e ardhmja e Shqipërisë, Osterreichische Rundschau, Wien, Bd. 15, 1908; Nga Berati në Tomorr (Fletë ditari), Sarajevë, 1911.) kanë ndikime të dukshme nga veprat e studiuesve austriak si Johan George Von Hahn i njohur si “Babai i Albanologjisë”, apo arkeologu Carl Patsch. Kontribute të rëndësishme për historinë moderne të Shqipërisë janë kujtimet e shkruajtura prej tij, si “Kujtimet (1985-1925)”, apo dorëshkrimet e pabotuara “Pamje nga Shqipëria, 1912-1936”, ndërsa për periudhat e mëhershme janë punimet e tij me baroneshën austriake Ameli Von Godin me titull: “Ndihmesë për historinë e sundimit turk në Shqipëri”, si dhe dorëshkrimi “Mbi zhvillimin e bujqësisë dhe çifligjeve të Shqipërisë”. Në veprat e tij bën përshtypje stili i rrjedhshëm dhe elegant i të shkruajturit, që dëshmon më së miri nivelin e lart intelektual dhe kulturën e pasur e shumëdimensionale që e karakterizonte.
Kontributi i parë dhe i rëndësishëm është ai i koleksionistit. Eqeremi së bashku me të atin Syrja Bej Vlorën koleksionuan një numër të konsiderueshëm objektesh arkeologjike, armësh, si dhe krijuan një bibliotekë të pasur me libra dhe dorëshkrime të rralla. Objektet arkeologjike të koleksionit të tyre e kishin kryesisht prejardhjen nga qendrat antike të Orikumit, Aulonës (Rrënojat e së cilës gjenden sot në Sheshin e Flamurit, në qendër të qytetit të Vlorës), si dhe nga Apolonia. Një pjesë të mirë të tyre për fat të mirë apo të keq (pasi sot kanë humbur) e njohim nga përshkrimet e arkeologut austriak Carl Patsch, italianit Luigi Maria Ugolini apo anglezit Nicolas Hammond, të cilët informacionin e kanë marrë kryesisht nga Eqerem Beu. Ato janë objekte me rëndësi për studimin dhe rindërtimin e fazave më të hershme të historisë së qytetit antik të Orikumit, apo qendrës antike të Aulonës, të cilat edhe sot e kësaj dite janë pika të rëndësishme referimi për arkeologët që merren me studimin e këtyre qendrave. Koleksioni i Vlorajve së bashku me koleksionet e etërve Jezuit e Françeskan në Shkodër, janë koleksionet e para, të cilat shënojnë edhe zanafillën e muzeologjisë shqiptare.
Aktiviteti arkeologjik ishte kontributi i dytë modest, amator, por njëkohësisht i vlefshëm dhe një nga tullat e para të vendosura në themelet e ngrehinës së arkeologjisë shqiptare. Në librin e tij me udhëtime në zonën e Beratit dhe Tomorrit, ai ka lënë shënime të vlefshme për qendrën antiko-mesjetare të Beratit, ku përshkroi muret e kalasë së Beratit, urat, objektet e kultit dhe një sërë objektesh të tjera, të cilat sot janë të shpallura Monumente Kulture. Ai përshkruan mbishkrime, relieve apo detaje arkitektonike, të cilat me kalimin e viteve kanë humbur. Këto përshkrime së bashku me fotot e realizuara që në vitet 1906-1908, kanë një vlerë të pazëvendësueshme si dokumente të kohës. Ai gjithashtu, përshkroi disa prej Kodikëve të Beratit, si dhe gjendjen në të cilën ruhej Epitafi i Gllavenicës. Eqerem Beu është i pari që vizitoi dhe përshkroi rrënojat dhe gjetjet e “Qytezës” antike të Peshtanit, pranë Beratit, i orientuar nga Dud Karbunara. Duke qenë se, ishte një ndër njohësit më të mirë të vendbanimeve arkeologjike të Vlorës dhe rrethinave të saj, ai ishte dhe njeriu që shërbeu si konsulent dhe orientoi arkeologun Carl Patsch dhe prehistorianin Italian Luigi Cardini në kërkimet e tyre në këtë rajon. Në ditarët e botuar në vitet e fundit të Cardinit (të cilat konsideroheshin të humbura), në një nga shënimet e mbajtura prej tij dëshmon, se informacionin për potencialin arkeologjik të shpellave të Velçës e kishte marrë pikërisht nga Eqerem Beu. Siç dihet tashmë, nga gërmimet e kryera nga Cardini në këto shpella u gjetën materiale arkeologjike të periudhës Neolitike. Një ndër kontributet e vyera të Eqerem Beut është studimi për kalanë e Kaninës i botuar në artikuj të ndryshëm tek periodiku “Shejzat”, në vitet 1960 (së fundmi artikujt janë përmbledhur në një botim të vetëm: “Kalaja e Kaninës dhe shkrime të tjera, Përgatiti për botim Afrim Koçi, Botimet KOҪI, 2004”). Në këtë vepër ai ka bërë një përmbledhje të mirë mbi historinë e kësaj qendre, nga antikiteti e deri në periudhën moderne. Gjithashtu, bën përshkrime të vlefshme arkitektonike, si dhe boton planimetrit e para profesionale të hartuara nga inxhinieri Barthelemy në vitin 1980-1984, si dhe skica të njëkohshme të inxhinierit italian Beccalli (mësuesi personal i Eqerem Beut). Me shumë rëndësi janë përshkrimet dhe informacionet për selinë e Beut brenda fortifikimit, që në kohën e tij ruhej në gjendje rrënojë, krahas informacionit për struktura dhe ndërime të tjera, që aktualisht nuk duken më në sipërfaqe. Është shumë interesante dëshmia e tij, se në vitin 1918 xhenjot e ushtrisë italiane kishin kryer gërmime arkeologjike me karakter studimor, që sipas tij do të shërbenin për restaurimin e mureve dhe monumenteve të ndryshme. Ai flet për mure antike të zbuluara nga këto gërmime në një nga tarracat brenda fortifikimit. Fatkeqësisht përveç informacionit të Eqerem Beut si dëshmitar i kohës, nuk kemi informacione të tjera për të ditur nëse gërmimet janë drejtuar nga ndonjë arkeolog italian i kohës, apo nëse është mbajtur dokumentacion shoqërues, si dhe nëse ato sot ruhen në ndonjë arkiv të shtetit italian. Gjetja dhe botimi i tyre do kishte një rëndësi të veçantë, pasi janë gërmimet e para arkeologjike të kryera në qendrën antiko-mesjetare të Kaninës.
Një pasion i veçantë i Eqerem Beut ishte etnografia. Në fillimet e viteve 1900, ai ka bërë një punë të shkëlqyer në dokumentimin e veshjeve popullore të krahinave të ndryshme të Shqipërisë. Në kujtimet e shkruara prej tij dhe në librat me udhëpërshkrime, gjenden përshkrime të gjalla dhe të detajuara të kostumeve popullore në krahinat e ndryshme që vizitoi. Siç shkruan në librin me udhëtime në Berat dhe në Tomorr, me aparatin e tij fotografik ai kishte dokumentuar me dhjetëra veshje popullore në të gjithë territorin e Shqipërisë, ku ai kishte udhëtuar që në rininë e tij. Përveç veshjeve, ai flet për këngët dhe muzikën popullore, për poezi popullore, mite, legjenda, doke e zakone të mledhura në treva të ndryshme. Ai ishte një njohës i shkëlqyer i mentalitetit të popullit të tij, të cilin nuk e glorifikoi dhe nuk ra asnjëherë në subjektivizëm, por nëpërmjet një analize të ftohtë dhe të matur ishte në gjendje të ndante dobësitë dhe pikat e forta të mendësisë shiptare. Pa mëdyshje Eqerem Bej Vlorës, duhet ti njihet merita si studiuesi i parë i arkitekturës tradicionale (vernakulare) në Shqipëri. Në librat e tij kemi të dhëna të pasura për arkitekturën e banesave të shtresave të ndryshme të popullsisë. Ai përshkroi dhe botoi foto e planimetri të banesave të familjeve të pasura të kohës, disa prej të cilave nuk ekzistojnë më, duke përfshirë edhe vet Selamllëkun e Sarajeve të Vlorajve, ku u ngrit flamuri kombëtar në ditën e shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar. Ndër të tjera, ai duhet kujtuar si ndër të parët shqiptar që ushtroi artin e fotografisë, aktivitet i cili i njihet shumë pak, dhe që ka nevojë të “gërmohet” nëpër arkiva familjare e shtetërore, për ta nxjerrë veprën e tij nga pluhuri i harresës.
Eqerem Bej Vlora ishte një pinjoll i ndritur i familjes së shquar të Vlorajve. Ai ishte mbrujtur me interesin dhe pasionin për të njohur, studiuar, vlerësuar dhe promovuar trashëgimin kulturore të atdheut të tij, si i tillë ai ishte një produkt cilësor i familjes Vlora, familje që e mbajti ndezur pishtarin e lirisë kombëtare që prej fillimit të shek. XIX, deri sa së bashku me një numër bashkatdhetarësh e arritën atë me pavarësimin e shtetit shqiptar, në 28 Nëntor të vitit 1912. Eqerem Beu ishte një fisnik në pamje, intelektual në sjellje, por një vlonjat i denjë në veprim e në guxim. Ai ishte një figurë komplekse dhe kontroverse përsa i përket sjelljes politike, por padyshim një kontribues i rëndësishëm dhe një pioner në fushat e ndryshme të studimeve Albanologjike.
Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu