Në prag të zgjedhjeve vendore, Bashkia e Tiranës ka rritur shpenzimet për ndërhyrje në rrugët e Tiranës. Në dy prokurimet e fundit, ky institucion ka planifikuar të shpenzojë 2.2 milionë euro për restaurimin e pesë rrugëve të kryeqytetit.
Ethet e zgjedhjeve vendore mesa duket e kanë bërë kryebashkiakun e Tiranës që të kujtohet për restaurimin e rrugëve të kryeqytetit në fund të mandatit të dytë.
Këtë javë janë shpallur dy tendera të tjerë për restaurim rrugësh me vlerë totale prej 256 milionë lekë, ose 2.2 milionë euro.
I pari ka si objekt restaurimin e rrugës së “Agallarëve” në Njësinë Administrative Farkë. Për këtë do të shpenzohen 1.4 milionë euro, ndërsa kompania që do të marrë përsipër punimet do të duhet t’i përfundojë brenda 6 muajve që nga nënshkrimi i kontratës. Pra duke koinciduar dhe me fushatën dhe votimet.
Rasti i dytë është për rikualifikimin urban në rrugët “Ali Progri”, “Jordan Misja”, “Rreli” dhe “Albanopoli” me vlerë 731 mijë euro.
Fituesi i këtij tenderi është shpallur bashkimi i operatorëve “K.M.K” dhe “Caushi M”, të cilët kanë kërkuar sa 60% të vlerës së tenderit për të kryer punën brenda 10 muajve që nga nënshkrimi i kontratës.
Por këto dy prokurime për ndërhyrje në rrugët e Tiranës në prag të zgjedhjeve vendore nuk janë të vetmit. Kjo pasi në muajin tetor institucioni që drejtohet nga Veliaj shpalli tenderin prej 8 milionë eurosh për shtrimin e akseve të amortizuara në njësitë administrative të Tiranës.