Falje, mirkuptim dhe heshtje pa mllef!

0

Shkruan Zef Ndreka

Kështu mund ta përmbledh me pak fjalë librin që sapo lexova. Atë libër që në morinë e librave që përzgjodha në Panairin e librit në Tiranë, ishte edhe “Në meshën e ullinjëve” të autorit Arben Iliazi.
Për miqt e mi, ndërmjet rreth 130 poezive, përgjodha dy poezi prej tyre më domethënëset dhe shumë koherente në frymë.
Këto dy poezi, konkretisht “Testamenti im i thjeshtë” dhe “Në meshën e ullinjve”, më ngjajnë se dialogojnë natyrshëm mes tyre, si dy akte të së njëjtës lutje poetike nga poeti.
TESTAMENTI IM I THJESHTË
Në këtë.botë të mbushur plot me zogj
parajse, që formojnë kurora në qiej
me ëndërra të tejdukshmë trëndafilash,
kundërmime errësire,
mezi pres të fryjë
një fllad i lehtë mëshire
për fantazmat e njerëzve dhe të detit.
Mirënjohës ndaj gjithçkaje
duke mbyllur gjithë mundimet pikëlluese
të ekzistencës sime
në fshehtësitë e padukshme,
lë pas mëkate, pendime
të digjen si korrniza të heshtura
midis nesh,
për t’u kujtuar njerëzve
sa të vonuar janë në meshë…
Tek kjo poezi, “Testamenti im i thjeshtë”, poeti Arben Iliazi ndërton një testament jo material, por etik dhe shpirtëror. Iliazi nuk lë pas pasuri, por falje, lë mirëkuptim dhe heshtje të pastruar nga mllefet.
Metaforat e zogjve parajse, e ëndrrave të tejdukshme dhe “flladit të lehtë mëshire” krijojnë atë botë ku njeriu përpiqet të çlirohet nga pesha e errësirës dhe të pranojë brishtësinë e vet.
Kjo është një poezi e pjekurisë së thellë, ku pajtimi me jetën vjen përmes mbylljes së plagëve, jo përmes mohimit të tyre.
NË MESHËN E ULLINJËVE
Shkëlqimet e Iperionit nderen mbi rrugën ku shkelin
tingujt që zbresin së larti në prehje dadhurie.
Kurorat e dasmave, luke që vyshkën
e heshtin
në mesin e ullinjëve…
E di… ata më dlgjojnë
me përshpirtje Perëndie,
përtej ankthit të Odiseut
diku, në tokat pjellore të thesprotëve.
Luten përvfatin tim
për të mallkuarin fatin tonë-
I vetmi atdhe ku besojnë
Rrufenë dhe lotin.
Copat e zërit të tyre mes gjelbërimesh
si flakëza të vogla ndizën
duke mbyllur mes nesh dritare të vogla drite.
Kështu, poeti në “Në meshën e ullinjve” e zhvendos poezinë nga intimiteti individual në një rit kolektiv dhe arketipal. Ulliri, ky simbol biblik, mesdhetar dhe shqiptar njëherësh, shndërrohet në altar të përbashkët, ku dashuria, fati dhe besimi bashkohen në një liturgji tokësore. Referencat mitologjike dhe biblike, pra Perënditë, Odiseu, fati etj, nuk janë zbukurime, por shtresa kuptimore që e bëjnë poezinë universale, pa e shkëputur nga toka pjellore e përvojës njerëzore.
Në të dy poezitë, Arben Iliazi shkruan me një qetësi të thellë, pa patetizëm, duke i besuar fuqisë së fjalës së matur. Janë poezi që nuk kërkojnë të trondisin me zë të lartë, por të mbetet gjatë në mendje, si një dritë e vogël që ndizet mes njerëzve.
Në këtë kuptim, libri “Në meshën e ullinjëve” dëshmon një poet në kulmin e pjekurisë së tij krijuese, një poet i përulur ndaj jetës, por i patundur në kërkimin e së vërtetës njerëzore.
Urime më tej miku im!

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu