E ardhmja politike dhe ligjore e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku pritet të vendoset në Kuvend më 12 mars, kur deputetët do të votojnë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për autorizimin e arrestimit të saj.
Ndërkohë, më 9 mars Gjykata e Apelit të Posaçëm do të shqyrtojë ankimin e Ballukut ndaj masës së pezullimit nga detyra. Edhe pse ajo është shkarkuar tashmë nga postet e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, gjykata pritet të zhvillojë seancën duke dëgjuar palët në proces.
Aktualisht ndaj Ballukut është në fuqi masa e ndalimit për të dalë jashtë vendit, për të cilën ajo ka bërë rekurs edhe në Gjykatën e Lartë.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se Kuvendi është brenda afateve procedurale për shqyrtimin e kërkesës së SPAK dhe se raportet përkatëse do të paraqiten në seancën e 12 marsit.
Sipas tij, në Këshillin e Mandateve janë paraqitur dy qëndrime të ndryshme dhe vendimi përfundimtar do të merret në mënyrë kolegjiale nga deputetët.
Nga ana tjetër, opozita akuzon mazhorancën për zvarritje të procedurës. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi se Kuvendi duhet t’i përgjigjet sa më shpejt kërkesës së SPAK, duke theksuar se sipas tij hetimet janë penguar prej muajsh.
Prokuroria e Posaçme po heton disa projekte të mëdha infrastrukturore, mes tyre tunelin e Llogarasë dhe segmente të Unazës së Madhe të Tiranës, ndërsa dyshimet lidhen me manipulime në tendera dhe ndërhyrje në proceset e prokurimit publik. Sipas SPAK, ekziston rreziku që Balluku të ndikojë në hetim apo të pengojë mbledhjen e provave, ndaj është kërkuar autorizimi i Kuvendit për arrestimin e saj.








