Deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj një nga socialistët e vjetër por dhe kryetari i Komisionit të posaçëm antikorrupsion ngritur në parlament reagoi sot përmes një analize të gjatë lidhur me arrestimin e kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliajt.
Si bashkëluftëtar prej 10 vitesh në betejat elektorale për Tiranën Xhafaj thotë se Veliaj po luftohet fort egër dhe shpesh me goditje nën brez për shkak të mbështetjes popullore që kryebashkiaku ka
“Po atë që nuk e bëri dot opozita për mbi 10 muaj me rreth 50 protesta të përjavshme e shpesh të dhunshme e bëri një vendim gjyqësor rreth 90 ditë para zgjedhjeve, që vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për Kryetarin e Bashkisë së kryeqytetit dhe një prej drejtuesve kryesorë politikë të PS për qarkun Tiranë.
Procesin gjyqësor ndaj Veliajt, të cilin e përkufizon si ‘njeri të gabueshëm por jo zyrtar të korruptuar” e quan jo të drejtë.
“Duke lexuar vendimin gjyqësor që ka pranuar e certifikuar kërkesën e prokurorit për masë sigurie “arrest me burg” bindem edhe më shumë për një proces jo të drejtë në aspektin procedurial” shkruan Xhafaj.
Kam pikëpyetjet e mia për mënyrën se si ka filluar dhe si është proceduar në këtë çështje penale, thotë Xhafaj më tej.
Druaj se jemi para rastit ku investigohet e hetohet personi dhe jeta e tij, për të gjetur fakte penale në ngarkim të tij dhe jo përpara asaj çfarë ligji lejon e kërkon, pra që hetohet vepra penale konkrete dhe prej saj shkohet te përgjegjësia e personit konkret të cilin gjithësesi të fajshëm apo jo e përcakton vendimmarrja gjyqësore e të dy shkallëve dhe jo hetuesi e prokurori” shkruan Xhafaj në analizën e tij të gjatë.
Xhafaj ndalet edhe tek puna e komisionit të posaçëm duke thënë se kanë të gjithë të drejtën e Zotit, kredon morale, politike e shoqërore që të kërkojnë nga këto institucione të japin drejtësi me standarde të panegociueshme demokratike
“E kam deklaruar edhe më herët, se unë nuk bëj pjesë tek ata që e shohin arrestin me burg si alternativën kryesore në masat e sigurisë apo që e shohin përdorimin e instrumentave të drejtësisë së re për statistika penale apo populizëm mediatik.
Këto shqetësime, që i kam dëgjuar të artikulohen edhe nga shumë profesionistë të fushës, i kam ngritur në mënyrë koherente në çdo debat apo dalje publike. Ashtu si dhe vetë SPAK në raportimet periodike në Kuvend ka pohuar fort faktin se do të duhet që të ketë përmirësime ligjore në disa aspekte.
Pikërisht për adresimin e këtyre çështjeve ne kemi hapur një diskutim konstruktiv edhe me ftesën e bashkëpunimit për ta, në funksion të interesit publik. Një diskutim për të konsoliduar më shumë arritjet, por edhe për të reflektuar dhe përmirësuar sistemin e drejtësisë penale, të një drejtësie preventive, jo represive.
Ne që bëmë gjithçka për ta çliruar drejtësinë nga kthetrat e politikës, kemi gjithë të drejtën e Zotit, kredon morale, politike e shoqërore që të kërkojmë nga këto institucione të japin drejtësi me standarde të panegociueshme demokratike, njëjtë si vendet e Evropës së Bashkuar ku Shqipëria do të jetë më herët sesa vonë.