Kanë filluar punimet e njërit ndër projektet më të mëdha në Gjlan. Është fjala për zgjerimin e rrugës “Hamdi Kurteshi” në vlerë prej 2.4 milionë euro. Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, i shoqëruar edhe drejtori për Shërbime Publike, Infrastrukturë e Banim Mentor Mihovci, ai për Mbrojtje dbe Shpëtim Bejtullah Osmani dhe përfaqësues të Forcës së Sigurisë kanë parë nga afër nisjen e punimeve.
“Projektet nga prezentimi 7 javë – 7 projekte, po marin jetë”, tha Hyseni. I pari i komunës,tha se pas sezonit dimëror, tash janë krijuar kushtet për vazhdim të punimeve. Ky projekt është njëri nga rrugët më të frekuentuara dhe më të rëndësishme për hyrje-dalje nga Gjilani. “Si një nga projektet më të mëdha kapitale, ky projekt do të zgjerojë infrastrukturën e qytetit dhe do të përmirësojë dukshëm jetën e qytetarëve. Për Gjilanin që duam”, tha Hyseni.
Kryetari i Gjilanit, tha se punimet kanë filluar brenda kazermës së FSK për të ndërtuar murin e perimetrit të parë të sigurisë. Sipas Hyseni në fund të muajit prill, dalin jashtë këtij perimetri dhe vazhdojnë punimet në hapërsirën e jashtme. Kjo pjesë përgjatë Kazermës së FSK-së do të ketë rrugë me katër korsi. Trotuar në dy anët. Shteg për biçikleta. Infrastrukturë nëntokësore (përfshirë edhe zhvendosjen e kabllove elektrike në kanale nëntokësore), apo mbulimi i lumit Stanishorka.
Punimet pritet të përfundohen brenda vitit 2024! Ky projekt me bashkëfinancim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ishte prezantuar me 22 janar të këtij viti, në kuadër të projekteve me moton “7 javë – 7 projekte”. Derisa gurthemeli ishte vënë me 1 dhjetor, ku ishte edhe kryeministri Albin Kurti.