Shkruan Albert Vataj
Jo vetëm Rusia, atdheu i tij tragjik dhe kontradiktor, por e gjithë bota, të gjithë ata që besojnë në art si në një fe të përbotshme, përulen me një lloj ngashërimi solemn përpara emrit dhe veprës së Fjodor Dostojevskit. Ai qëndron si një përmendore mendimi dhe dhimbjeje, që nuk ngrihet mbi piedestalin e lavdisë, por mbi thellësinë e vuajtjes njerëzore. Një gjeni që e ndërtoi universin e tij artistik jo nga rehatia, por nga përvoja e skajshme e humbjes, poshtërimit, ankthit dhe kërkimit të shpengimit.
Ka një bindje të përhapur, jo gjithmonë të lehtë për t’u pranuar, se arti i madh lind nga vuajtja e thellë. Jeta e Fjodor Mihajlloviç Dostojevskit është një dëshmi dramatike e kësaj teze. Që në moshë të njomë, ai u përball me humbje që do ta shënjonin përjetë: nëna i vdes nga tuberkulozi kur ai ishte vetëm 15 vjeç; dy vjet më vonë vdes edhe i ati, një figurë e ashpër, autoritare, e shënuar nga alkooli dhe dhuna, për vdekjen e të cilit qarkulluan zëra se ishte vrarë nga shërbëtorët e vet. Këto trauma nuk mbetën thjesht episode biografike, por u shndërruan në materie letrare, në tension moral dhe psikologjik që përshkon veprën e tij.
Dostojevski lindi më 11 nëntor 1821 dhe u shua më 9 shkurt 1881. Ai ishte fëmija i dytë nga gjashtë të Mikhail dhe Maria Dostojevskit. I ati, kirurg ushtarak në pension, shërbente si mjek në Spitalin Mariinsky për të varfërit në Moskë, një institucion i vendosur në një nga zonat më të errëta dhe të dëshpëruara të qytetit. Përreth kishte varreza për kriminelë, azil për të çmendur dhe jetimore për fëmijë të braktisur. Ky peizazh i rëndë urban, ky teatër i mjerimit njerëzor, la gjurmë të pashlyeshme në imagjinatën e djaloshit të ri.
Edhe pse prindërit përpiqeshin ta mbronin nga kjo botë e zymtë, Dostojevski ndiente një tërheqje të pazakontë për të vuajturit. Ai shëtiste në oborrin e spitalit, ulej pranë pacientëve të rraskapitur dhe dëgjonte rrëfimet e tyre. Aty, mes fytyrave të thyera dhe zërave të lodhur, ai nisi të mësojë atë që më vonë do ta bënte themel të artit të tij: të dëgjojë njeriun e poshtëruar, të përbuzur, të humbur.
Rrëfenjat për despotizmin e të atit janë të shumta dhe shpesh tronditëse. Një prej tyre tregon se fëmijët, ndërsa i ati flinte pasdite, duhej të qëndronin në heshtje absolute dhe, me radhë, t’i largonin mizat që të mos ia prishnin gjumin. Megjithatë, sipas biografit Joseph Frank, figura e babait tiranik në “Vëllezërit Karamazov” nuk është një portret i drejtpërdrejtë i të atit të Dostojevskit. Letrat dhe shënimet personale tregojnë një marrëdhënie më komplekse dhe, në disa raste, të ngrohtë mes tyre. Kjo ambiguitet, dashuri dhe frikë, admirim dhe revoltë, është pikërisht materiali nga i cili Dostojevski farkëtoi personazhet e tij.
Vepra e Dostojevskit është një eksplorim i pamëshirshëm i psikologjisë njerëzore, i vendosur në kontekstin e trazuar politik, shoqëror dhe shpirtëror të Rusisë së shekullit XIX. Ai konsiderohet nga shumë studiues si paraprijës i ekzistencializmit të shekullit XX. “Shënime nga nëntoka” (1864), me zërin e hidhur dhe ironik të “njeriut të nëntokës”, është quajtur nga Walter Kaufmann “uvertyra më e mirë e ekzistencializmit që është shkruar ndonjëherë”. Ky tekst nuk ofron zgjidhje, por zbërthen me saktësi kirurgjikale vetëdijen e copëzuar të njeriut modern.
Në vitin 1849, Dostojevski arrestohet bashkë me anëtarët e rrethit radikal politiko-letrar “Petrashevski”. Ata dënohen me vdekje dhe më 16 nëntor nxirren përpara skuadrës së pushkatimit. Në momentin e fundit, vendimi anulohet. Ky ishte një ritual i qëllimshëm terrori psikologjik i Car Nikollës I: një “mëshirë” e dhënë pasi i dënuari kishte përjetuar tashmë vdekjen. Për Dostojevskin, kjo përvojë ishte një vdekje dhe një ringjallje e njëkohshme. Pas saj, ai u dërgua për katër vjet në punë të rënda në Siberi dhe më pas për katër vite të tjera në shërbim të detyruar ushtarak. Vetëm pas një dekade kthehet në Shën Peterburg, i thyer fizikisht, por i transformuar shpirtërisht.
Dostojevski është autori i disa prej romaneve më të mëdha të letërsisë botërore: “Krim dhe Dënim” (1866), “Idioti”, “Demonët” dhe “Vëllezërit Karamazov” (1880). Ai u rikthye seriozisht në letërsi pas një periudhe ushtarake, duke publikuar që në vitin 1846 novelën “Njerëz të varfër”, ku shfaqen qartë embrionet e botës së tij letrare.
Ai u bë i famshëm për krijimin e asaj që mund të quhet “heroi i rrugës”: një protagonist i përjashtuar, i poshtëruar, shpesh moralisht i dyshimtë, por thellësisht njerëzor; një figurë që endet mes fajit dhe shpengimit, mes revoltës dhe besimit. Nëpërmjet këtij heroi, Dostojevski eksploron mëkatin, ndërgjegjen, moralitetin dhe nevojën e njeriut modern për kuptim. Personazhet e tij nuk janë modele, por pasqyra ku lexuesi sheh vetveten në momentet më të errëta.
Krijimtaria e tij është e skalitur me një vërtetësi tronditëse: trishtim dhe dhimbje, ëndrra dhe dëshira, frikë dhe shpresë. Prandaj lexuesi, pavarësisht epokës, ndien se përpëlitet bashkë me ta. Jeta i shtrëngon këta personazhe me dorën e saj të pamëshirshme, por ata, nëpërmjet vuajtjes, fitojnë një lloj madhështie morale.
Gjithnjë më ka joshur ideja e një rivlerësimi të veprës së Dostojevskit, veçanërisht për shkak të gjykimeve shpesh të cekëta ose ideologjikisht të ngarkuara që kam hasur që në vitet e studimit në vendlindjen e tij dhe më pas. Në shënime eseistike jam përpjekur të verifikoj këto gjykime dhe të përftoj një mendim më të drejtë, estetiko-filozofik, mbi vlerat autentike të veprës së tij, e cila fatmirësisht është përkthyer e plotë në shqip.
Më është dukur se, ashtu si te autorët më të mëdhenj të letërsisë klasike botërore, edhe te Dostojevski gjejmë mesazhe etiko-filozofike universale, që ndihmojnë në kuptimin e krizave dhe shqetësimeve të njeriut të sotëm, veçanërisht në kohë tranzicioni. Në periudha të turbullta, thotë ai, shfaqen gjithnjë “fundërrina”, jo ata që vetëquhen përparimtarë, por ata që e shkatërrojnë kuptimin e jetës nga brenda. Ky vëzhgim mbetet tronditësisht aktual.
Dostojevski nuk është thjesht një shkrimtar i së kaluarës. Ai është një bashkëkohës i përhershëm i njeriut që vuan, dyshon dhe kërkon shpëtim. Dhe pikërisht për këtë, “heroi i rrugës” që ai krijoi vazhdon të ecë mes nesh.








