Moderatori, aktori dhe aktivisti Florjan Binaj i është bashkuar mbrëmjen e kësaj të shtune protestës kombëtare të thirrur nga kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, e cila po zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë.
Binaj, i njohur për angazhimin e tij qytetar dhe pjesëmarrjen në protesta të ndryshme kundër qeverisë, ka qenë i pranishëm në shesh, duke iu bashkuar qytetarëve që protestojnë kundër korrupsionit dhe skandaleve qeveritare. Ai ka marrë pjesë edhe më herët në protesta të organizuara nga forca të ndryshme politike, duke ruajtur një qëndrim kritik ndaj qeverisë “Rama”.
Gjatë tubimit, Adriatik Lapaj renditi një sërë akuzash ndaj qeverisë, duke përmendur aferat e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, si edhe dosjen e AKSHI-t, ku sipas tij bëhet fjalë për një grup të strukturuar kriminal që ka abuzuar me tendera publikë dhe ka fryrë kostot me miliona euro.
Sipas Lapajt, këto skandale janë arsye të mjaftueshme për rrëzimin e qeverisë aktuale dhe për një reagim të fortë qytetar.








