Organizata ‘Freedom House’ publikoi raportin vjetor, duke theksuar se Shqipëria ka probleme të thella me korrupsionin. Raporti e vë theksin sidomos te afera e inceneratorëve, e cila po të hetohet plotësisht, do shkonte shumë lart.
PJESE NGA RAPORTI
Kryeministri Rama bëri riorganizimin e kabinetit në korrik, duke zëvendësuar Arben Ahmetajn me Belinda Ballukun si zv.kryeministre. Shkarkimi i Ahmetajt ngjalli shqetësime në lidhje me procesin e qeverisë për dhënien e kontratave të prokurimit publik.
Duke folur për çështjen inceneratorëve, në raport thuhet se sipas vëzhguesve, nëse SPAK do të mund të provonte akuzat, ka të ngjarë të ekspozonte aktivitete korruptive të politikanëve të ndryshëm të lartë, përfshirë lidhjet me interesa të dyshimta dhe rrjete të krimit të organizuar.
Në raport thuhet se gara para që i parapriu zgjedhjes së Altin Dumanit si kryetar i ri i SPAK-ut, u karakterizua nga shqetësime për ndërhyrje të mundshme politike.
“Në prag të votimit, ambasadorja e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, Yuri Kim shprehu shqetësimin për presionin politik në zgjedhjen e kreut të SPAK, të cilin qeveria shqiptare e hodhi poshtë”, thuhet në raport.
“Inceneratorët e mbetjeve ishin tema kryesore e akuzave për korrupsion në Shqipëri gjatë vitit”, thuhet në raport ku përmendet se akuzat u ngritën fillimisht nga Endri Shabani, i Nismës #Thurje, dhe më pas nga deputetja Monika Kryemadhi, ish-kryetare e LSI-së, tani Partia e Lirisë, si edhe Partia Demokratike e cila hapi edhe hetimin parlamentar në mars të kryesuar nga anëtarja e Kuvendit Jorida Tabaku.
Hetimi shqyrtoi procesin ligjor me të cilin qeveria kishte dhënë kontrata për ndërtimin e tre inceneratorëve të mbetjeve në bashkitë Elbasan (2014), Fier (2016) dhe Tiranë (2017) – me një vlerë totale prej 178 milionë euro.
“Gjatë seancës dëgjimore, një zëdhënës i qeverisë pranoi në mënyrë indirekte disa parregullsi në kriteret e dhënies së kontratave, ku kompanitë që morën kontratat ishin të vetmet që bënë oferta”, thuhet në raport.
“Duke qenë se kontratat e prokurimit publik shtrihen deri në 30 vjet, llogaritet se këto parregullsi u kanë kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 50 milionë euro. Shuma e saktë e parave të keqpërdorura të taksapaguesve mund të mos dihet kurrë, duke e bërë këtë skandal prokurimi një nga çështjet më të diskutueshme politike në vend”, thuhet në raportin e Freedom House.