Ambasada e Shteteve të Bashkuara i ka treguar vendin Sali Berishës dhe besnikëve të tij. Ditën e djeshme dhe sot, Saliu dhe “foltorja” u hodhën në sulm ndaj ambasadores, pasi kjo e fundit e krahasoi Berishën me një “zjarrvënës që premton se do të shuajë zjarret”. Padyshim deklarata ishte e fortë dhe “foltorja” nuk la gjë pa thënë kundër ambasadores.
Mirëpo ambasada përmes një reagimi për mediat, i ka konsideruar baltosje dhe gënjeshtra akuzat në drejtim të Juri Kim.
“Baltosja dhe gënjeshtrat për Ambasadoren e SHBA janë një taktikë e vjetër të cilën shqiptarët e njohin sepse është përdorur ndaj çdo ambasadori si mënyrë për të sulmuar politikën e SHBA. Këto metoda të vjetra janë të padenja për një aleat krenar të NATO-s, vend aspirant për në BE, dhe mik të vyer të Shteteve të Bashkuara. Këto mbetje të turpshme të së kaluarës duhet të mbeten në të kaluarën”, u shpreh ambasada për “Vizion Plus”.
Dje ishte Sali Berisha ai i cili akuzoi, kërcënoi dhe anatemoi ambasadoren, duke e akuzuar se është përfshirë në afera korruptive.
“Të dashur miq, Guvernatorja Yuri Kim në përpjekje për një shërbim të fundit Edi Ramës, foli sot njëlloj sikur të fliste McGonigal me fustan. Por me deklaratën e saj për zjarre dhe zjarrvënës në të vërtetë ajo përpiqet të fsheh aferat e veta korruptive të denoncuara publikisht, por edhe afera të tjera. Ftoj inspektorin e përgjithshëm të Departamentit të Shtetit, FBI dhe Kongresin e SHBA të hetojë aferat korruptive të guvernatores Kim përfshirë këtu pronat e saj në Shqipëri. Partia Demokratike sikundër deri sot është e gatshme të jap kontributin e saj për këtë transparencë”, tha Berisha.
Në të njëjtën retorikë ishte edhe Edi Paloka. Ai tha se ambasadorja Yuri Kim, mbështet Kryeministrin Rama për shkak të parave, që sipas tij, i merr në fund të muajit.
“Reagimin e kanë bërë demokratët dhe shqiptarët që para një viti. E kanë marrë përgjigjen zonja McGonigal e të gjithë që i shërbejnë Ramës. Ata kishin si qëllim eliminimin e opozitës. Por ajo fazë ka kaluar. Demokratët janë përditë në betejë me Edi Ramën për të çuar në shtëpi Ramën dhe veglat e tij. Zonja pret këstin e fundit, se këtë ka bërë që ditën e parë që ka ardhur është vënë në shërbim të Ramës sepse merr diçka. Skandali McGonigal e bëri të qartë se si funksionojnë këto gjëra. Do ketë prapë mbështetje për Ramën që zonja të meritojë këstin e fundit”, tha ai.
Por si duket ambasadorja ju tregoi vendin, duke e bërë të qartë se “foltorja” është e gjitha në listën e zezë.