Shkruan Dritan Gremi
Sipas të gjtha gjasave, e tërë elita politike, insitucionale dhe kupola drejtuese e Policisë së Shtetit të 30 viteve të fundit do fshihet dhe do t’i përkasë të shkuarës.
Në mendimin tim të njëjtin fat do kenë edhe nje pjesë e mirë e pronarëve, dhe drejtueseve, moderatorëve dhe gazetarëve të mediave më të rëndësishme në vend, të cilët me emisionet dhe gazetarinë e “pilotuar” i kanë shërbyer interesave të tyre personale dhe sistemit në teresi, duke ndikuar trurin dhe votat e qytetarëve shqiptarë në më shumë se 30 vite.
Kur them sistemi e kam fjalen për politikën pa dallim, mjatas apo djathtas, nepotizmin, grupet e interesit, oligarkët e deri tek grupet kriminale. Jo më kot përmenda interestat personale, pasi nje pjesë e mirë e tyre (kuptohet jo të gjithe) fuqine e tyre mediatike e kanë përdorur per interesa te ngushta personale si konçesione, leje ndërtimi, tendera apo gjëra të tjera të kësaj natyre.
Të njëjtin fund do ketë dhe elita e sipërmarrësve shqiptarë, të cilët kanë ndikuar me së shumti ekonominë tonë në 30 vitete fundit. Do goditet pikërisht ajo shtresë e oligarkisë që ka monopolizuar gati 90% të tregut dhe ekonomisë sonë, që me influencën mediatike dhe lidhjet e tyre me politikën, kanë perfituar pjesën me të madhe te konçesioneve dhe tenderave, ligje të shkruara dhe propozuara nga vetë ata, leje ndërtimi, emërime ministrash apo drejtorësh ne administratën publike.
Që tashmë te gjithe këto që thashë më sipër do ndodhin, nuk kam as më të voglin dyshim dhe shyqyr Zotit që ia arritëm kësaj dite, pasi është një gangrenë e madhe që ka kllaposur gjithë shoqërinë shqiptare. Njerëzit kanë humbur besimin te politika dhe institucionet, gjë që e kanë shprehur duke bojkotuar zgjedhjet, por mbi të gjitha duke emigruar në masë jashtë vendit, sidomos këto vitet e fundit.
Lidhja perverse e Medias me grupet e interesit, politikën dhe krimin, ka shpërfytyruar figurën e gazetarit duke ndryshuar dhe transformuar krejtësisht misionin e tij sublim. Duhet të falenderojme SPAK për guximin dhe punën e madhe që po bën, sepse është shkruar një faqe të rëndesishme të historise shqiptare, e pa më të voglin dyshim, vendi dhe brezat do t’i jenë mirënjohës. Faleminderit dhe partnerëve tanë nderkombëtarë, pa ndihmën e te cilëve (fatkeqësisht do thoja, pasi kjo gjë si popull nuk na nderon) keto ndryshime nuk do kishin ndodhur kurrë.
Por kur e gjithë kjo te ketë ndodhur, pyetja eshtë: Çfarë do te vijë me pas? Kush do jene elitat e ardhshme politike, shoqërore, ekonomike dhe mediatike shqiptare? Kush do jenë aktoret e rinj qe do marrin në dorë frenat e ekonomise tone? Pra me pak fjalë, kush do na drejtojë?
Pasi të kemi rrafshuar çdo gje (me të drejte) duke e çuar vendin në pikën zero, ne si shoqëri, a do jemi në gjendje te ngrihemi ne lartesinë e duhur?
A do jemi te përgatitur të nisim gjithçka nga fillimi, duke ruajtur të gjitha ekuilibrat që garantojnë mbarëvajtjen e një shteti? Mbi te gjitha, a do jemi në gjendje te bëjmë zgjedhjet e duhura ne mënyrë që të mos përsërisim gabimet e së shkuarës?
Që të mos përsëris gjithnjë te njëjtat gjëra, situata në vend kishte arritur ne një pike që nuk mbante më, ndaj dhe kjo që po ndodh është mëse e mirëseardhur. Por nga ana tjeter, duhet të kemi te qartë se te çosh nje shtet ne pikën zero, e me pas të nisësh çdo gje nga fillimi nuk është aspak e lehtë. Është njëlloj si te bësh ndërhyrje në kolonat e nje ndërtesë ( ne kete rast shtetit), me rrezikun qe nëse dicka shkon keq, (shteti) mund te shembet, duke na zënë te gjithëve brenda. E përsëris, ky vend duhej me patjetër te ndryshonte, mirënjohje të madhe SPAK per çfarë ka bërë deri tani dhe per atë qe pritet te bëjë më pas, por njëkohësisht ne si shoqëri duhet te jemi te qarte dhe te vetëdijshëm se çfarë po ndodh, e mbi te gjitha te përgatitur qe gabimet e se shkuarës te mos përsëriten më.
E nisim nga politika psh; është e sigurt që e gjithë klasa politike dhe njerëzit me më shumë ndikim brenda Partisë Socialiste, e cila ka qeverisur vendin ne 10 vitet e fundit, do goditet nga hetimet e SPAK dhe si pasojë do bjerë. Arrestimet qe priten te bëhen se bashku me skandalet e shumta qe kanë prekur partine ne pushtet mund te çojnë vendin ne zgjedhje te parakohshme, ose drejt formimit te nje qeverie tranzicioni.
Nga ana tjeter, pjesa me e madhe e deputetëve te Partisë Demokratike janë mbledhur rreth liderit te tyre Sali Berisha, i cili tashmë është pa parti, e mbi të gjitha nën hetim nga SPAK.
Lulzim Basha sapo është zgjuar nga letargu i radhes (jo se kur është zgjuar nuk fle) dhe me vulen në xhep ka nisur fushatën e radhës duke brohoritur dhe mbështetur SPAK ne aksionet e tij, në një kohë kur mbi te rëndojnë disa skandale, si p.sh.500.000 eurot e financimeve ruse, 21 Janari, Rruga e Kombit dhe disa skandale e gojëdhëna te tjera.
Ne te dyja rastet, edhe nese do kishte zgjedhje te parakoheshme, por dhe nese do shkohej drejt nje qeverie tranzicioni, Lulzim Basha, do ishte nje nga aktorët më influentë ne qeverine e ardhshme. Por lind pyetja: Pas gjithë kësaj stuhie ndryshimesh, pas me shume se 30 vite vuajtjesh tranzicioni, a meritojmë ne si popull te drejtohemi nga një njeri si Lulzim Basha? A është e drejtë te mbajmë mbi supe dikë qe tashmë ka ezauruar çdo mundësi nga pikëpamja politike, etike, morale dhe shoqërore, dikë që nuk drejton dot veten dhe jo më një shtet apo një popull?!. A mundet qe aleati me i madh ndër vite i Sali Berishes (prej kohësh non grata dhe i hetuar nga SPAK) , i perzgjedhuri, “delfini” i tij, që mban mbi supe peshën e disa skandaleve, të na kthehet ne pikë shprese pikërisht tani që shqiptarët po përjetojnë ndryshimet e mëdha epokale, te cilat populli po i priste prej vitesh? A mos vallë shqiptaret do jene aq shume te dehur nga vala e skandaleve dhe arrestimeve të zyrtareve te larte, që te hanë sapunin per djathë duke pranuar figura me dritë- hije të mëdha, pjesë e të njëjtave skandale për te cilat po hetohen dhe burgosen politikanë dhe ish-figura të larta të shtetit?
Dhe jo vetem kaq: A mundet që një komb si i yni, në një moment kaq historik dhe të rëndësishëm të periudhës së tij post komuniste mbase edhe të 100 viteve të fundit, përballe partive tradicionale PS-PD (tashmë të kalbura), të prodhojë alternativa si “Shqipëria bëhet”, e kur pyet kryetarët (Adriatik Lapaj p.sh.) se si bëhet ky vend, nuk dinë të japin një përgjigje? Si mund të krijosh një shoqatë me ketë emër shpresëdhënës për shqiptarët, e cila më pas do kthehet patjeter në parti politike dhe do mbledhë vota, deputetë, e ca më keq akoma kur pretendon të qeverisë dhe vendin me sllogane populiste, pa ide, pa program, e krijuar nga njerez të cilët s’kanë qullosur asgjë në jetën e tyre, e jo më të marrë në dorë jetët tona në një moment kaq të rëndësishëm ndryshimesh? Për çfarë?! Për te qenë më keq se ç’ishim? Për të rritur një elite te re shushunjash, mediokrësh e të paaftësh? Apo se ky ka takuar ambasadoren, ka pirë kafe me te, ka qenë në USA dhe siç thotë ai ka marrë bekimin e tyre? Jo, kjo nuk duhet të ndodhë kurrë!! Është ulje për secilin nga ne!
Shoh në horizont nje tjetër grupim politik, “Diaspora per Shqipërinë e Lirë”.
I mirëstudiuar edhe ky si slogan, me demek fton diasporën te çlirojë Shqipërinë, ndërkohë kjo gje ka nja 80 vite qe ka ndodhur, pasi gjermani i fundit iku në 1944.
Por nese duan ta çlirojnë vendin nga prangat e korrupsionit dhe krimit, atë po e bën SPAK. Me shumë respekt për emigrantët dhe gjithe diasporen shqiptare, i kujtoj “luftëtarëve të lirisë ” që kjo luftë nuk bëhet nga foltoret jashtë vendit, duke luftuar me mullinjte e erës, por në sheshin e “betejës ”, pra bëhet dhe fitohet këtu, në Shqipëri, dita- ditës, me kontributin e gjithësecilit.
Nuk mundet të ndryshohet një vend nga mijëra kilometra larg me siluret dhe raketat e hedhura nga avionët dhe aeroplanmbajtëset e foltoreve jashtë vendit.
Por me sa duket ata i kan bërë llogaritë mirë, iu duhen votat dhe jo ndryshimi.
Patjetër që diaspora duhet te votojë, por në të njëjtën kohë numri i deputeteve të dalë nga vota e tyre nuk mund të jetë i njejtë me ata që jetojnë, luftojnë dhe votojnë në vend.
Se fundmi degjoj nga ata që thonë se diçka do ndodhë, e di Amerika, e dinë ndërkombëtarët se kush do vijë në pushtet, diçka do bëhet ….
Unë jam i mendimit qe ndërkombëtarët do na ndihmojnë për aq sa u takon, madje shumë kanë bërë dhe po bëjnë e për ketë i falënderojmë.
Në mendimin tim gjithë këto ndryshime duhet te ishin frut i luftës dhe punës sonë te përbashkët për për ta ndryshuar vendin tonë, por fatkeqësisht nuk ndodhi kështu.
Për ta mbyllur, Shqipërisë i duhet një alternativë e re politke, me një program të qartë politikash dhe zhvillimi, i cili ju duhet prezantuar shqiptarëve përpara se të shkojnë përballë kutive të votimit.
Kohëve kur një forcë politike shkon përpara zgjedhësve me premtime elektorale kuturu, pa një program te qartë, e me keq akoma me sllogane populiste apo duke sharë e drejtuar gishtin njërës apo tjetrës palë duhet t’u vijë fundi. Shqipëria ka nevoje për një frymë të re, me njerez të zotë, vizionarë, largpamës, me aftësi të mira projektuese dhe vendimarrëse, mbi të gjitha për atdhetarë dhe njerëz që e duan vendin.
Vetëm kështu “Shqipëria bëhet ”!