Liderët e shteteve të Samitit të Grupit të Shtatë (G7) i kanë bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të zbatojnë marrëveshjen e Ohrit.
Bëhet me dije se kjo deklaratë është bërë pas takimit që G7 ka mbajtur në Hiroshima të Japonisë, ku në përfundimet e tyre kanë përfshirë edhe procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Me anë të një njoftimi zyrtar, thuhet se vendet e G7 mirëpresin marrëveshjen për normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksin e Implementimit të arritura përmes dialogut të lehtësuar nga BE në Bruksel më 27 shkurt dhe në Ohër më 18 mars.
Vendet e G7 kanë bërë thirrje që Kosova dhe Serbia të zbatojnë në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim detyrimet e tyre përkatëse në mënyrë që të zhbllokojnë potencialin e tyre të plotë dhe të avancojnë raportet e fqinjësisë së mirë në Ballkanin Perëndimor.
“Ne e mirëpresim marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin e saj të zbatimit, të arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja në Bruksel më 27 shkurt dhe në Ohër më 18 mars respektivisht. Me qëllim të zhbllokimit të potencialit të plotë për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë dhe për avancimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në Ballkanin Perëndimor, ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të zbatojnë me lehtësi dhe mirëbesim detyrimet e tyre përkatëse”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga G7.
Samiti i Grupit të Shtatë (G7) përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.