Në Gjykatën e Posaçme kanë hyrë në fuqi masa të reja sigurie duke filluar nga dita e martë, në kuadër të një plani të përditësuar për mbrojtjen e institucioneve gjyqësore.
Në hyrje të godinës është vendosur një punonjës i Gardës, ndërsa çdo person që kërkon të hyjë në ambientet e gjykatës i nënshtrohet kontrollit fillestar përmes skanimit fizik. Pas këtij hapi, kontrolli vijon me një skaner të dytë, më të detajuar, brenda ambienteve të brendshme.
Edhe procesi i daljes nga godina zhvillohet nën masa të shtuara sigurie, të ngjashme me procedurat që aplikohen në institucione me rëndësi të veçantë.
Këto masa u miratuan pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja. Pas ngjarjes, Këshilli i Lartë Gjyqësor kërkoi rritje të nivelit të sigurisë në gjykata. Deri tani, zbatimi i plotë i këtij plani është realizuar vetëm në Gjykatën e Posaçme.
Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja
Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja ndodhi më 6 tetor 2025 në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë, gjatë zhvillimit të një seance gjyqësore.
Ai u qëllua me armë zjarri brenda sallës së gjyqit nga një person i përfshirë në proces Elvis Shkambi, në momentin kur po shpallte vendimin për një çështje pronësie.
Nga të shtënat mbetën të plagosur edhe persona të tjerë të pranishëm në sallë, ndërsa autori u arrestua nga policia pas ngjarjes.
Ngjarja ekspozoi dobësi në sistemin e sigurisë brenda institucioneve gjyqësore dhe nxiti kërkesa për masa të reja mbrojtëse për gjyqtarët dhe stafin.








