Gazetari Eni Ferhati tha se ka konflikt gjyqësor për një pjesë të konsiderueshme të vijës bregdetare në vendin tonë.
Teksa foli për ngjarjet e ndodhura për shkak të pronësisë në Gjirin e Lalzit, Ferhati i ftuar në emisionin “Review” në Euronews Albania tha se në këtë zonë dhjetëra persona janë në garë se kush do e marrë certefikatën e pronësisë.
Më tej ai tha se Gjiri i Lalzit është vendi ku shteti ka bërë një sy qorr.
“Ka ende pjesë të konsiderueshme vijë bregdetare që ka konflikt gjyqësor, dhe kur ka një konflikt gjyqësor ka dhe konflikt mes njerëzve që janë për këto prona. Historia e Gjirit të Lalzit është një histori e paralajmëruar në fakt. Është një histori që shteti ka bërë një sy qorr ose ka qenë i interesuar që të ruaj krahun e individëve me pushtet. Në Lalz ka ende toka që nuk kanë një zot dhe dhjetëra persona mund të jenë në garë se kushdo të jetë i pari që të marrë certefikatën e pronësisë”- tha ai.