GJKKO ka reaguar në lidhje me kërkesën e Elsa Ullirit, gjyqtares kryesuese për t’u tërhequr nga gjykimi i dosjes Partizani, me të pandehur Sali Berishën, Jamarbër Malltezi dhe tre të tjerë.
Gjykata bën me dije se çdo informacion zyrtar në lidhje me një kërkesë për dorëheqje të gjyqtares apo ndonjë vendimmarrje të mundshme të titullarit, do të jepet në seancën e radhës, që është caktuar për datën 21 korrik 2025, ora 10:30.
Por pavarësisht kërkesës së gjyqtares, ajo do të jetë e pranishme në seanca, treshja e gjyqtarëve të aferës Partizani mbetet e njëjtë, por nuk marrin dot vendime.
Ndërkohë mësohet se Ulliri ka paraqitur kërkesën për dorëheqje nga gjykimi i dosjes te drejtuesi i GJKKO, Erion Bani prej 10 ditësh. Në argumentet e saj thotë se është kushërirë me deputeten demokrate Andia Ulliri.
“Nisur nga interesi i lartë nga ana juaj për t’u informuar nëse gjyqtarja Elsa Ulliri ka paraqitur kërkesë për dorëheqje nga çështja penale në ngarkim të të pandehurve Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, etj…, me porosi të Zëvendëskryetarit të Gjykatës Z. Erjon Bani, ju bëjmë me dije se lidhur me këtë pjesë do të informoheni në seancën gjyqësore të rradhës, datë 21.07.2025, ora 10:30, ku trupi gjykues do të relatojë në seancë nëse është paraqitur ndonjë kërkesë e tillë si dhe vendimmarrja e titullarit, në rast se ka pasur vendimmarrje”, njofton GJKKO.