Drejtuesi politik i PD-së për Tiranën, Belind Këlliçi në një deklaratë për mediat është shprehur se gjyqtarja e Apelit të GJKKO Ilirjana Olldashi po kërcënohet me mesazhe për të favorizuar Erion Veliajn dhe grupin e tij kriminal.
“Prania e djeshme paramilitare e mercenarëve të Veliajt, frymëzuar edhe nga gjuha e mbushur me urrejtje e kërcënime e Edi Ramës, nuk ishte provë force dhe intimidimi vetëm ndaj prokurorit Dado, që doli mbi barrikadën e frikës, por edhe mbi gjyqtaren e Apelit Ilirjana Olldashi.
Burimet tona informale na vënë në dijeni se ndaj gjyqtares Olldashi kanë filluar mesazhet, si joshëse ashtu edhe kërcënuese, për të favorizuar Erion Veliajn dhe grupin e tij kriminal dhe për të anashkaluar ligjin, siç është bërë shumë herë për megaaferat e këtij të fundit, përfshi Inceneratorin fantazmë të Tiranës dhe aferën kriminale “5D”.
Partia Demokratike u bën thirrje prokurorëve dhe gjyqtarëve të ndershëm që të rezistojnë dhe të japin kontributin e tyre në vendosjen e një drejtësie që nuk sheh majtas apo djathtas, por vetëm zemrën dhe thelbin e ligjit.
Ky ka qenë parimi ynë konstant, dhe mbi këtë parim ne jemi të gatshëm të ndërtojmë një marrdhënie të re dhe afatgjatë me drejtësinë. Pa i ndërhyrë në punët e saj, por pa e lejuar të bëhet palë me pushtetin, qoftë edhe me pushtetin tonë nesër”, është shprehur Këlliçi.