“Guri” që hodhi Rama po i bie mbi kokë!

0

Shkruan Gentian Trenova

Më kujtohet një lojë kur ishim të vegjël. Merrnim një gur, e hidhnim lart dhe thonim me zë të lartë: t’i bjerë kujt t’i bjerë, vetes time mos t’i bjerë.

Ishte një lutje naive, një besim fëmijëror se mund ta mashtronim fatin. Por vinte gjithmonë një moment kur guri binte pa pyetur për dëshira. Dhe jo rrallë, godiste pikërisht atë që e kishte hedhur.

Sot politika shqiptare po përjeton të njëjtën metaforë.

Kryeministri hodhi vite më parë një “gur” të madh: reformën në drejtësi. U prezantua si akti më i fortë kundër pandëshkueshmërisë, si themeli i një epoke të re ku askush nuk do të ishte mbi ligjin. Ishte projekti që duhej të ndryshonte sistemin njëherë e përgjithmonë.

Por reforma, sapo u ngrit në ajër, nuk ishte më në dorën e atij që e hodhi.

Vendimi 4–4 i Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë nuk është thjesht një barazim teknik votash. Është momenti kur guri rri pezull dhe të gjithë e kuptojnë se graviteti institucional funksionon. Asnjëra palë nuk arriti ta kontrollojë plotësisht rezultatin. As pushteti nuk mori garancinë që kërkonte, as kundërshtarët nuk patën një fitore të qartë.

Por simbolika është më e fortë se rezultati.

Reforma që u ndërtua si instrument pastrimi sot po kthehet në provë për vetë arkitektët e saj. Sepse një sistem i pavarur, nëse është realisht i tillë, nuk njeh autor. Ai nuk pyet kush e krijoi. Ai vepron sipas rregullave që i janë dhënë.

Dhe këtu qëndron ironia:

kur ndërton një mekanizëm ndëshkimi për të tjerët, duhet të jesh gati të jetosh nën të njëjtin mekanizëm.

Loja e gurit na mësoi një gjë të thjeshtë:

nuk ka mënyrë për ta hedhur lart pa rrezikun që të bjerë mbi ty.

Sot, në politikë, duket se guri që u hodh me reformën në drejtësi ka nisur të bjerë. Dhe këtë herë, nuk ka formulë fëmijësh që e ndalon.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu