Hamasi ka riafirmuar se nuk do të bjerë dakord të çarmatoset nëse nuk krijohet një shtet sovran palestinez, në përgjigje të njërës prej kërkesave kryesore të Izraelit në bisedimet për një armëpushim në Gaza.
Hamasi tha në deklaratën e tij se nuk mund të heqë dorë nga e drejta e tij për “rezistencë dhe armët e tij” nëse nuk do të krijohej një “shtet palestinez i pavarur dhe plotësisht sovran me Jerusalemin si kryeqytet”.
Izraeli e konsideron çarmatimin e Hamasit një nga disa kushtet kryesore për çdo marrëveshje që synon t’i japë fund konfliktit.
Gjenerali i Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF), Eyal Zamir, paralajmëroi të premten se nuk do të ketë pushim në luftimet në Gaza nëse negociatat dështojnë për të siguruar lirimin e shpejtë të pengjeve që mbahen nga Hamasi.
Negociatat indirekte midis Izraelit dhe Hamasit për të siguruar një armëpushim dhe lirimin e pengjeve ngecën javën e kaluar.
Në ditët e fundit, qeveritë arabe i kanë kërkuar Hamasit të çarmatoset dhe të dorëzojë kontrollin e Gazës, pasi një numër vendesh perëndimore, përfshirë Francën dhe Kanadanë, njoftuan plane për të njohur shtetin e Palestinës. Mbretëria e Bashkuar tha se do ta bënte këtë nëse Izraeli nuk përmbushte disa kushte deri në shtator.
Agjencitë e OKB-së kanë paralajmëruar se në Gaza ka uri masive të shkaktuar dhe kanë fajësuar Izraelin, i cili kontrollon hyrjen e të gjitha furnizimeve në territor. Izraeli ka këmbëngulur se nuk ka kufizime në shpërndarjen e ndihmave dhe se “nuk ka uri”.
Shifrat e fundit nga Kombet e Bashkuara thonë se të paktën 1,373 palestinezë janë vrarë duke kërkuar ushqim që nga fundi i majit. OKB-ja thotë se shumica janë vrarë nga ushtria izraelite pranë vendeve të shpërndarjes së Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF) të mbështetur nga Izraeli dhe SHBA-të.
Izraeli ka akuzuar Hamasin për nxitjen e kaosit pranë vendeve dhe thotë se trupat e tij nuk hapin qëllimisht zjarr ndaj civilëve.