Shkruan Zef Ndreka
Është fjala për Ali Podrimja, i cili pa dyshim është një ndër figurat më të ndritura të letërsisë shqipe të shekullit XX. Poet i dhimbjes dhe i shpresës, i Kosovës martire dhe i shpirtit kombëtar.
Shpallja e tij qytetar nderi i Qarkut të Lezhës mbi 20 vite më parë ka mbetur thjesht një akt protokollar, në vend që të ishte realisht një vlerësim për këtë zë që i dha dinjitet fjalës shqipe dhe e ngriti poezinë tonë në podiumet më të larta ndërkombëtare.
Dhe pikërisht, për këtë arsye, heshtja që mbizotëron sot në Lezhë, Mirditë e Kurbin, pa një rrugë, pa një shesh, pa një shkollë apo bust që ta kujtojë këtë përsonalitet të letërsisë shqipe, është jo vetëm një harresë e pafalshme, por një padrejtësi ndaj vetë kulturës sonë.
Është e dhimbshme të thuhet se një vend që e ka nderuar zyrtarish poetin dhe akademikun, nuk ka gjetur ende forcën dhe vullnetin qytetar për t’ia dhënë Ali Podrimjes atë që më së paku meriton:
Në shenjë të prekshme kujtese, që brezat e rinj të mësojnë kush ishte ky burrë i fjalës, ky ambasador i shpirtit shqiptar nëpër botë. Respekti për poetët është respekt për vetë kombin, dhe aty ku poetët harrohen, varfërohet edhe ndërgjegjja kolektive.
Gjej rast t’iu bëj thirrje publilisht:
Thirrje: U drejtohem sot institucioneve vendore, kryetarëve të bashkive të Lezhës, Mirditës dhe Kurbinit, të mos e lënë më gjatë këtë padrejtësi në heshtje.
Është koha të ngrihet një bust, të pagëzohet një shkollë apo një rrugë me emrin e Ali Podrimjes, që fëmijët e këtij qarku të dinë se ky njeri i madh, ky poet i kombit, është shpallur qytetar nderi në trojet e tyre.
U drejtohem gjithashtu opinionit publik, shoqërisë civile, mësuesve, shkrimtarëve e të gjithë njerëzve të kulturës që ta ngrejnë zërin dhe të kërkojnë me këmbëngulje këtë respekt minimal për një personalitet që i ka dhënë shumë Kosovës, Shqipërisë dhe gjithë kombit shqiptar.
Harresa është e dëmshme, por më e dëmshme është kur ajo vjen qëllimisht ose nga neglizhenca. Le të mos e lëmë më gjatë Ali Podrimjen në harresë.
Ai është i yni, është i gjithë shqiptarëve, dhe nderimi për të është nderim për vetë identitetin tonë kombëtar.








