Deputetët e Partisë Socialiste kanë braktisur komisionin hetimor për ndërhyrjen në TIMS në orët e vona të mbrëmjes së të mërkurës, pas një gjysëm-dëshmie që ka dhënë Ministri i Brendshëm Taulant Balla mbi këtë çështje. Largimi i tyre erdhi pas disa orëve debat, që u shkaktua nga një kërkesë e Taulant Ballës, i cili kërkonte që mbledhja e Komisionit Hetimor të zhvillohej me dyer të mbyllura, ndërsa deputetët e pranishëm duhej të ishin të pajisur me certifikatë sigurie.
Kërkesa e Ballës u bë publike pak minuta para orarit të caktuar për të dëshmuar në komisionin hetimor. Në kërkesën e tij, njoftoi grupi parlamentar i PS, Balla pretendonte se çështja “TIMS” “është objekt hetimi penal e për pasojë të dhënat nuk mund të bëhen publike për shkak të nevojave hetimore që lidhen me këtë procedim penal në proces e sipër”.
Kërkesa e ministrit të brendshëm vuri në lëvizje një dinamikë që mund ta çojë dëshminë e tij drejt afateve kohore të pacaktuara. Me këmbënguljen e deputetëve socialistë në komision u bë e mundur që mbledhja të vazhdonte më dyer të mbyllura.
Por në përgjigjet që dha, Balla është treguar i rezervuar me pretendimin se 5 deputetë nga Partia Socialiste dhe 3 nga opozita nuk kishin certifikata sigurie dhe ai nuk mund të ndante me ta sekretet që kishin dalë nga komisioni hetimor.
Pas kësaj gjysëm-dëshmie, mbledhja është ndërprerë.
“Taulant Balla ende nuk e ka nisur dëshminë e tij” tha kreu i komisionit, Ervin Salianji për gazetarët. Por ndërkohë që ai fliste, në përfundim të dëshmisë së Ballës, socialistët përgatiteshin të largoheshin nga komisioni.
“Dëshmitarët e tjerë po presin në radhë. Ka një vendim të prokurorisë që ka sjellë Ervin Muçën” tha Salianji.
Deputetët e opozitës qëndruan për të marrë në pyetje Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Muhamet Rrumbullaku dhe ish-Drejtorin e arrestuar të Teknologjisë, Ervin Muça, ndërkohë socialistët kishin braktisur komisionin. Fjalë e Taulant Ballës që deputetët duhet të ishin pajisur me certifikatë sigurie, ata e përkthyen në ndërprerje të menjëhershme të punës së komisionit.
“Ajo që duhet të kuptoni është se ne jemi të gatshëm të vazhdojmë punën e komisionit për të hetuar, kur ligji për sekretin hetimor na kërkon ne duhet të pajisemi me certifikatën e sigurisë”, tha Toni Gogu bashkëkryetar i komisionit, para se të largohej nga mbledhja.
Dëshmia e Taulant Ballës që përmban sekrete shtetërore janë një ndryshim 180 gradë i pohimeve që ministri bënte kur nisën denoncimet e para për ndërhyrjet në sistemin TIMS. Në verën e vitit të kaluar, Ministri i Brendshëm ka daë me versionin se TIMS nuk kishte asnjë rrezik dhe se në sistem nuk kishte pasur asnjë ndërhyrje.
Gjatë një mbledhjeje të Komisionit të Çështjeve Europiane, në Gusht 2023 Balla shprehej: “Dua të garantoj se të dhënat e çdo qytetari në sistemin TIMS janë 100% të mbrojtura. Nuk ka asnjë të dhënë që të ketë rrjedhur nga ky sistem. I fortifikuar dhe falë mbështetjes së partnerëve”
“Rezulton se nuk ka pasur asnjë kopjim apo rrjedhje. Kur kthehet balta në piedestal, flitet për përdorim të të dhënave. Kjo është e pamundur!” shtonte ai.
Edhe disa muaj më vonë, kur hetimet vazhdonin në prokurori, Taulant Balla mohonte çdo mundësi që të kishte pasur ndërhyrje në TIMS. “Nuk ekziston asnjë shqetësim që ka pasur rrjedhe të të dhënave nga sistemi TIMS. E vërteta është që një ekip i ri i brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë nga qershori, ka marre përsipër një ndryshim tërësor të mënyrës së administrimit teknik dhe sigurisë natyrshëm që ata që janë larguar mund të kenë kritika, ankesa, mund të ngrenë dhe dyshime për punën që bëjnë ata që kanë marrë këtë detyre, garantoj çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë se asnjë e dhënë nga TIMS nuk ka rrjedhur dhe s’ka pasur asnjë problematike” shprehej ai në tetor të vitit të kaluar.
Tani që drejtori i Teknologjisë është në arrest shtëpie dhe kur opozita i kërkon llogari, Ministri i Brendshëm fshihet dhe refuzon të flasë. Ai thotë se nëse flet, rrezikon të nxjerrë sekrete shtetërore. Por atëherë përse doli garant se nuk kishte ndodhur asgjë? Pse e mbrojti ish-drejtorin e arrestuar Ervin Muçën?
Heshtja për pyetjet e mësipërme shton dyshimet se ndëryrja në sistemin TIMS nuk ishte një punë e Ervin Muçës, por se urdhri erdhi nga lart dhe Muça ishte thjesht një i keqpërdorur që me gjasë do të mbajë burgun dhe nuk do t’i tregojë “shokët”./Lapsi.al