Shkruan Zija Vukaj
Shkrimtarët e humorit, ata që na bëjnë të qeshim, janë ndoshta artistët që qajnë së brendshmi më shumë se të tjerët. Njëherë e kam thënë (dhe s’kam cituar askënd, pasi i kam inat citimet) se letërsia në kuptimin e përgjithshëm është ndërtim, konstruksion, bërje, kurse humorizmi në veçanti është zhbërje, shkatërrim, është destruksion. Nga zhbërja krijohet dhimbja, vaji, e qara. Më pas e ka radhën gëzimi. Këtë e kemi provuar kur kemi shembur shtëpinë e vjetër për të ndërtuar të renë; por e kemi provuar edhe kur nënat tona kanë zhbërë një triko të vjetër, për ta përdorur perin e saj që të endin një triko të re. Kemi qarë e qeshur me trupin pa mëngë të trikos, siç kemi qarë e qeshur me shtëpinë pa çati, të sakrifikuar në emër të së resë.
Këtë minidigresion ia kushtoj Paulin Selimit, jo thjesht në emër të miqësisë, pasi ai nuk mund të privatizohet nga miqësia hipokrite e asnjë individi që qan në raste jubilare, por për të përmbushur një pjesë të vockël të një borxhi mirënjohës që secili nga ne të rrethit të tij ka ndaj një kontributi të një artisti të shquar që u investua për kulturën.
Të flasësh për veçoritë krijuese të këtij shkrimtari, është një punë që kërkon tjetër angazhim e destination; unë thjesht do të përpiqem të risjell copëza nga bisedat e përditshme të tij. Shigjetimet e tij kanë qenë mbresëlënëse. Paulini ishte një gjahtar situatash dhe personash absurdë, pasi kishte aftësinë të ishte edhe një soditës klinik dhe një dëgjues i durueshëm. Me “prapësitë” e shikimit dhe me mimikën e palëvizshme, prapa sipërfaqes së të cilës dallgëzonin shpërthime ironie e sarkazme, ai ndërtonte një antifrazë krejt të pagjasë, thuajse alogjike.
E takova një mbrëmje të acartë janari. U ndalëm për pak. Dridheshim të dy nga të ftohtit. Më pa ngultazi:
– Ça ke dalë kaq hollë?- më tha.
– Hë, pra, nuk m’u duk kaq ftohtë.
– Asht tepër ftohtë, po vishu më trashë, se je kryefamiljar.- më tha.
Kur shihte ndonjë njeri të marrë dhe kot, nuk e stigmatizonte, por në formë eufemike e cilësonte “i qetë dhe korrekt”. Asokohe isha këshilltar në Këshillin Bashkiak dhe bëja pjesë në komisionin e dhënies së titujve. Një natë, teksa po bisedonim, më pyeti befas:
– Sa vetëve ua keni dhënë titullin “Qytetar nderi”?
Duke e ditur se po më gjuante iu përgjigja, nja 20 mijë vetëve.
– Pak!- tha.
– Pse?
– Duhet t’ua jepni të gjithëve.
– Po si?
– Të hapni një zyrë pranë bashkisë, të ndaloni të gjithë kalimtarët e t’u jepni titullin “Qytetar nderi”.
– Po me çfarë motivacioni?
– Me motivacionin “I qetë dhe korrekt.”
Paulini vishej me gusto. Duke qenë një burrë i hijshëm, kërkonte edhe kombinimet më të rafinuara të veshjes. Kjo ishte kthyer në trill, aq sa nganjëherë dilte edhe te gabi dhe qëmtonte ndonjë gjë. Më pyeti një ditë:
– Si të duket kjo xhakavento?
– Shumë e bukur!- i thashë.
– Sa ta mer mendja se e kam blerë? Duke e ditur se donte të më surprizonte i thashë:
– Po nja 130 mijë lekë.
Nxori gishtat e njërës dorë dhe tha:
– Pesë mijë lekë profesor.
– S’ka mundësi- i thashë, po kjo qenka e bukur dhe e ngrohtë.
– Është edhe “e qetë”, profesor.
Kur ishte drejtor në shkollën e muzikës, bëhet një mbledhje drejtorësh në muajin gusht për hapjen e vitit të ri shkollor. Për koencidencë, në mbarë Shqipërinë kishin rënë zjarret. Ishte kohë djegiesh. Nga ana tjetër personeli i shkollës përbëhej nga muzikantë dhe artistë të tjerë, tipa allasoj, që neve na duken anormalë dhe të frikshëm. E pyet drejtoresha e madhe.
– Pse ti Paulin je i vetmi drejtor që nuk i ke nxjerrë mësuesit në punë.
– Jo, se m’djegin shkollën zj. Drejtoreshë.
Në arlekinadën e tij bënin pjesë shumë tipa. Dhe këta ishin miqtë më të mirë të Paulinit.
Mes tij dhe miqve zhvilloheshin tregime të çuditshme. Profesor Rafaeli, muzikant virtuoz, tregonte se i kishin vjedhur tubin e oxhakut të shtëpisë. Paulini e kishte marrë vesh dhe thoshte:
– ia vodhën se i ka shku tymi drejt. Po kështu tregonte për prof. Rafaelin: “Erdhi një burrë nga Puka për ta bërë këngëtar fëmijën e tij. Natyrisht Rafaeli ishte jo vetëm muzikant me reputacion, mjeshtër ndoshta më i miri i kontrabasit, por edhe metodist që kishte aftësinë të përgatiste këngëtarë nga kontigjentet e fëmijëve që vinin në shkollën e muzikës. Burri që solli fëmijën, i cili (fëmija) kshte vetëm një problem të vockël se ishte memec, i premtoi profesorit t’i sillte një dhi si shpërblim. Deri këtu: gjithçka në rregull. Mirë po dhia i shkelmoi gjithë lulishten, se lulet nuk i pëlqyen; dhe i shkretoi gjithë bahçen. E prapë nuk u ngop. Kaloi nëpër bahçet e lagjes dhe i bëri rrafsh. Komshinjtë u tmerruan dhe në tmerr e sipër, si dhe për ta ndëshkuar Rafaelin me të gjitha format e mundshme administrative, përdorën edhe kartën e moralit: I shkruan letër drejtor Paulinit: Përmbajtja e letrës ishte kjo: “I nderuar drejtor, Rafaeli bashkëjeton me dhinë.”
Për Nexhon, që e donte aq fort ka shkruar epigrame pa fund, ku spikasin vargjet:
“Unë jam Nexho Pilafi?
Ndër majmunat ma bojëkafi”PËRVJETOR – Mbushet një dekadë nga largimi i “babait” të humorit të shkruar shqiptar, Paulin Selimi…
Nexhoja dallohet për një oreks të mrekullueshëm. Paulini e konkretizonte oreksin e tij kështu: “Nexhoja ka hangër një fik (gjithë pemën e fikut). Në Bardhaj ka hyp’ në një fik të madh, pasi ka hequr këpucët. Kur âsht ulë nuk ka ditë me gjetë këpucët, mbuluar nga lëkurat e fikut. Ose; “Në Shirokë ka hangër një lundër me gjuhca; ndërsa në një fabrikë sallami në Tiranë ka hangër 13 metra sallam, pasi kishte vënë bast me punonjësit e fabrikës. Këta të fundit, të lemerisur, menduan se është prestigjiator dhe shpresuan ta nxirrte, …por ja që s’ndodhi.”
Promoted Content