Drejtuesi Politik i PD-së për qarkun e Tiranës, Belind Këlliçi, ka zbuluar detaje të reja mbi të shkuarën e inkriminuar të Idajet Beqirit, të cilit i është hequr edhe licenca e avokatit pasi ka mashtruar qytetarët.
I ftuar në një studio televizive, Këlliçi theksoi se Idajet Beqiri ka marrë më qafë qindra familje shqiptare gjatë kohës që ka qenë kryetar i gjykatës së Krujës.
Këlliçi zbulon se Beqiri është dënuar për falsifikim të dokumenteve zyrtare, në 30 prill të 1986. Po ashtu, Këlliçi tha se rezulton që Beqiri të jetë i dënuar në 4 shtete për trafik droge, terrorizëm dhe organizatë terroriste.
Belind Këlliçi: “Do na kenë ballë për ballë në çdo sekondë, duke nisur nga Erion Veliaj e deri tek Idajet Beqiri që është i dënuar për falsifikim të dokumenteve zyrtare, në 30 prill të 1986. Një njeri që ka marrë më qafë qindra familje shqiptare gjatë kohës që ka qenë kryetar i gjykatës së Krujës.
Një mbeturinë e dënuar në katër shtete të botës për trafik droge, terrorizëm dhe organizatë terroriste. E sot përdoren për të sulmuar opozitën, do të merremi me Idajetin e kush e ka bërë Idajetin dhe me të gjithë me radhë nga i pari tek i fundit.
Kjo është çështje jetë a vdekje për Shqipërinë, nuk është betejë politike. Ka të bëjë me intersin publik. Të gjitha akuzat tona kanë rezultuar të vërteta.”
Këlliçi shtoi se Beqiri po përdoret si kamikaz për të sulmuar opozitën, por premtoi se do të vijojë denoncimet pavarësisht sulmeve që po i bëhen.
Masa ndaj Berishës
Drejtuesi politik për Qarkun e Tiranës në PD, shprehet se organizata partnere e PS, siç e cilëson SPAK, vijon me shërbimit ndaj regjimit dhe narko-kryeministrit të vetëm në Evropë, Edi Rama.
I ftuar në Syri Tv, përmes një lidhje me skype në edicionin e lajmeve me moderatorin Bled Marku, Këlliçi tha se vendimi ndaj kryedemokratit Sali Berisha nga Apeli i GJKKO, nuk është gjë tjetër veçse, vijim i zbatimit të urdhrave politikë të Ramës.
Ndër të tjera, Këlliçi tha se një vendim i tillë për Berishën, nuk do të ketë efekt elektoral, sikundër theksoi se do të ndodhë e kundërta.
Këlliçi shtoi, se thirrja e Berishës në SPAK për t’u paraqitur 2 herë në muaj para oficerit të Policisë Gjyqësore, vetëm sa do të rrisë mundësinë e denoncimit të mëtejshëm të afera korruptive të kësaj qeverie në institucionin e akuzës së Posaçme.
Belind Këlliçi: “Forumi rinor i drejtësisë në PS dhe organizata partnere e PS, SPAK, vijon shërbimin ndaj regjimit dhe narko-kryeministrit të parë dhe të fundit në Evropë, Edi Rama. Këtë s’e themi ne, këtë e thonë 170 parti të djathta e të qendrës nga e gjithë bota. Kanë venë theksin te narko-shteti i ngritur në Shqipëri që drejtohet nga një kryeministër i lidhur me trafikun e drogën, si dhe një drejtësie të kapur tërësisht nga ky kryeministër.
Me një vendim tërësisht politik e të paprecedentë, vendoset nga Apeli i GJKKO një masë e pakërkuar nga SPAK . Për të mos u vetë-diskredituar në raport me shkeljen e ligjit, ku mbajtën me 333 ditë pa prova, u detyrua gjyqtari të bënte qokën e radhës.
Çmenduria më e madhe, kur e mbajtën të izoluar dhe me vendimarrje normale të gjyqtares së shkallës së parë, s’e kuptoj pse e thërrasin më në SPAK, sepse s’ka për çfarë shkon. Ka mbaruar punë SPAK, dosja ka shkuar në gjykatë.
Berisha është dukshëm në aktivitete publike dhe se di se si mund të arratiset. Të pretendosh se Berisha po intimidon dëshmitarët e sulmon gjyqtarët, është çmenduri.
Nëse ka ndonjë njeri që mendon se ka kosto elektorale për ne, u them zero. Mbështetja për Berishën e PD sa do vijë e do rritet. Njëjtë është goditur dhe presidenti Trump, është dënuar me procese të stisura politikisht e ia doli të fitojë. S’do të ketë efekt elektoral, do i japë mundësinë e denoncimit të korrupsionit të kësaj qeveria, 2 herë në muaj para SPAK. Kjo do të rrisë më tej mbështetjen.
Ka qenë ulëritëse deklarata e tij para medies, kur u shpreh i shqetësuar se si ka mundësi qytetari i zakonshëm bukë nuk ka, e ka fb. S’e shqetëson se pensionisti s’ka para për bukë e ilaçe për të shtyrë muajin. Rama ka goditur shtresën e mesme.
Për t’u vënë në shërbim total u rreshtua Apeli i GJKKO, është i njëjti gjyqtar që ka amnistuar Tahirin, që kanabizoi Shqipërinë për llogari të Ramës. Kjo tentativë për të goditur Berishën 4 muaj para zgjedhjeve, është manovër e drejtësisë së re për të zbatuar urdhrat e Ramës”.