Ilir Beqaj pranë arrestimit, SPAK, i bllokon pasaportën?

0

Skandalet me koncesionet në shëndetësi rrezikojnë të fundosin ish-ministrin e Partisë Socialiste Ilir Beqaj. Ish-ministri i Shëndetësisë ka përfunduar së fundmi në SPAK, duke dhënë dëshminë e tij në Prokurorinë Speciale ku është pyetur për gati 9 orë lidhur me koncesionin e sterilizimit. Dje janë zbardhur detaje të reja nga qëndrimi i tij përpara dy prokurorëve Ened Nakuçi dhe Edvin Kondoli. Bëhet me dije se Beqaj para tyre ka thënë se ka zbatuar të gjitha detyrimet ligjore për dhënien e koncesionit. Ndërsa i pyetur nga prokurorët nëse ka lidhje me biznesmenin që fitoi tenderin me vlerë 100 mln dollarë për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale, Beqaj mohoi  të ketë njohje apo lidhje shoqërore me të. Nga burime konfidenciale të gazetës “Sot”, dyshohet se SPAK i ka bllokuar Beqajt pasaportën për të mos bërë asnjë lëvizje jashtë vendit. Informacione ende të pakonfirmuara zyrtarisht, thonë se brenda në seancë Beqajt i kanë thënë prokurorët që të mos largohet nga Shqipëria dhe  hapi i radhës është komunikimi i masës së sigurisë. Burimin e gazetës “Sot” e mbështet edhe gazetari investigativ Artan Hoxha. “Kur je në cilësinë e personit që jep dëshmi, prokurorët në fund të seancës të këshillojnë që mos u largo në këtë periudhë nga vendi. Nëse i është thënë kjo gjë, është parathënie për atë që do ndodhë më mbrapa. Kur të thuhet që s’duhet të largohesh nga territori, hapi tjetër është komunikimi i masës së sigurisë. Këtë nuk e dimë nëse i është thënë Beqajt atje brenda”, është shprehur Artan Hoxha së fundmi i ftuar në një intervistë televizive.

Beqaj “gozhdohet” nga SPAK për 9 orë, ja çfarë ndodhi brenda seancës.

Ish-ministri mësohet se ka dëshmuar mbi faktin nëse ishte e nevojshme dhe pse, dhënia e këtij koncesioni, rrethanat dhe si u arrit të fryhej fatura me 5 milionë euro në vit; pra, nga 12 milionë euro që ishte parashikuar, në 17 milionë euro, gati 40% më shumë nga sa ishte parashikuar në buxhetin e shtetit. Ashtu si ish-zëvendësi i tij, Klodjan Rrepa edhe Ilir Beqaj mësohet se ka folur mbi mënyrën se si është përzgjedhur dhe shpallur fituese kompania koncesionare “SaniService” sh.p.k., e cila ka marrë koncesionin me vlerë 100 mln euro për 10 vite. Po ashtu, prokurorët e dosjes pretendojnë të hedhin dritë mbi faktin se cilat ishin arsyet dhe rrethanat që e detyruan qeverinë dhe Ministrinë e Shëndetësisë ta jepte këtë shërbim, pra sterilizimin e seteve kirurgjikale me koncesion dhe cilat ishin mekanizmat me të cilat ndryshuan faturat nga viti në vit, duke ua rritur vlerat. Të dhënat nga grupi hetimor bëjnë me dije se pjesë e punës për hedhjen ditë mbi ato koncesione është edhe fakti që Beqaj duhet të shpjegojë mënyrën se si u kalua qendra e sterilizimit, e ndërtuar me kredi të Bankës së Këshillit të Evropës pranë Qendrës Spitalore Universitare, dhe më pas kjo qendër nuk u vu asnjëherë në funksion nga ana e shtetit, por ajo iu dha në përdorim privatit. Sipas të dhënave, bëhet me dije se ish-ministri i Shëndetësisë ka folur edhe mbi kostot e shërbimit në kohën kur pretendohej se ky shërbim jepej nga shtetërori dhe në lidhje me kostot që i njëjti shërbim ka sot te privati, që u dha nga vetë dikasteri i Shëndetësisë.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu