Këta, të gjithë kanë mëkatuar bashkë e kjo formë divergjence falso, Berisha- Rama apo Rama- Meta, është sakrificë e detyrueshme për të mbrojtur të afërmit e farefisin nga sekuestrimi i gjësë së vjedhur dhe burgu. Se po, po vjen fundi. Secili mëkatar ndjen frikën e vet.
Shkruan Sokol Pepushaj
E ndoqën aq pak njerëz, sa mund t’i numëroje më shpejt se një çoban tufën e deleve që e bën gati për ta zbritur nga bjeshka në Vërri.
Ç’ju desh atij që shpiku vjedhjen, apo Donald Lu-së që hajdutët i pagëzoi “Peshq”?
Ju mund të mendoni edhe ç’ju desh Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken që i bën telefonatë kryeministrit, se risi jo e vogël është.
Që e telefonoi për burrë të mirë, hiqeni mendësh, pasi Babloku urrehet dhe akuzohet nga populli i vet, për pasuri të përfolura familjare, deri në parajsa fiskale e aksione në banka.
Këto janë nyjet e Ballkanit, vjedhja, krimet, padrejtësitë…
Pushtetarët hajdutë sillen si rob e gjykatës të vetvetes, pasi viktimat i kanë rrjepur, aq sa duhet patjetër ndërhyrja e fortë amerikane.
Në logjikën tonë, që do dëshironim të ishte e gabuar, rri mendimi, se Babloku ka tension nga biseda me Blinken, ka si ethe, si ndrojtje, se mos herën tjetër komunikimi bëhet Twiter, si me Saliun.
Specialistët e “Peshqve” të mëdhenj, patjetër edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, e dinë se cilët duhen zënë të parët.
Madje as shqiptarët s’gabojnë. Si nisje, kërkojnë më të madhin, që do të thotë më të pasurin. Dhe po, shënjestra është drejtuar, nga dy ndër “Peshqit” më të mëdhenj, Ilir Meta e Sali Berisha. Këta tashmë janë me “grep” në gojë e me filispanjë të ngatërruar kudo kanë resorte, vila, prona e para të fshehura. Por “gjuetia” e tyre është e ndaluar me deklarata diplomacie dhe me ligj nga Babloku. Ky i fundit, nuk i prek, madje ende nuk e ka informuar popullin e vet, pse nuk ua pezullon pasaportat diplomatike ‘non grata’-ve.
Në të gjitha kujdestaritë e “Peshqve” premtohet se asnjë s’mungon, se këtë vjeshtë hapet sezoni, por nëpër çmenduritë e tre partive kryesore, Edit, Saliut e Ilirit, ligji ende i ngjan Maliqit; Arben Kraja i ngjan Adriatik Llallës; zyrtari hajdutit e kriminelit. Secili ka maskën e vet, sozinë e vet, “thikën” e vet, “peshkun” e vet, “vrasësin” e vet për “kurbanin” e vet.
Koincidencat e “thikave” të atyre afër Saliut që paguajnë vrasës edhe nëse u shkruan dy fjalë për hotelin majë mali, me këto të Ilir Metës që thërret hajdutët në protesta antiamerikane, na e bëjnë zip historinë, na e shtryllin në një pikë si hieroglif, prandaj guxojmë të themi, se biseda e Sekretarit Amerikan të Shtetit me Edi Ramën që çdo shqiptar e njeh si kryehajdutin që e kanë zënë duke vjedhur, janë tërheqje veshi, sa të gomarit, thuaje pa frikë po.
Babloku nuk është dhe aq mirë, të jeni të sigurtë. Është jashtë zonës së mundshme për “gol”, mos e keni fare frikë.
Problemi është përtej Bablokut që ka rënë “kllukë”.
Andej nga i kanë sytë shqiptarët, ka aq shumë “peshq”, sa kë të kapësh më parë. Ja, çdo zyrtar është i pasur dhe i dyshuar për hajdut. Aq shumë kanë vjedhur prej 32 vjetësh, sa ekonomia ka pësuar ‘shock’ e njerëzia jo grushtin jo e jo, po nuk ngre dot as zërin. Potencialet dhe shpresat, në administrim të Edi Ramës, Sali Berishës e Ilir Metës janë banalitet, asgjë më shumë.
Çdo iniciativë e amerikanëve për shtet ligjor dhe transparencë është ndaluar, nga kush tjetër, përveçse prej eksponentëve politikë?
Nuk është e vështirë të renditësh emrat anti ligj, anti vetëdije, anti punë, prodhim, rrugë drejt BE-së, apo t’i sistemosh në analizat e paaftësisë, si metamorfoza më e sofistifikuar e mendimit politik, ekonomik e shoqëror.
Këta, të gjithë kanë mëkatuar bashkë e kjo formë divergjence falso, Berisha- Rama apo Rama- Meta, është sakrificë e detyrueshme për të mbrojtur të afërmit e farefisin nga sekuestrimi i gjësë së vjedhur dhe burgu. Se po, po vjen fundi. Secili mëkatar ndjen frikën e vet.
Kaq ishte pritja, Ilir Meta ngeli fillikat, e braktisën edhe hajdutët./Pamfleti