Një ditë më parë, Sali Berisha e akuzoi ish-Ministrin e Energjisë, Damian Gjiknuri se ai kishte dhënë autorizim për prodhimin e energjisë në impiantin e inceneratorit të Elbasanit nga ku qytetarët përfitonin 2% të energjisë, ndërsa 98% e përfitonte konçensionari. Sipas Berishës kjo ndarje e energjisë bëhet për çdo central që e ndërton privati, ndërsa në këtë rast ky po ndërtohej me paratë e shtetit.
“Me paratë e taksapaguesve shqiptare në Elbasan është parashikuar prodhimi i një termocentrali me kapacitet 2.3 megavat, dhe me detyrimin e shtetit shqiptar për të blerë energjinë e këtij impianti për 25 vite. Si kundërvlerë, taksapaguesit e vjedhur shqiptarë, merrnin gjithsej 2 përqind të energjisë, nga ky impiant që e ndërtonin me paratë e tyre, me paratë e veta. Informoj shqiptarët se nëse ky impiant ndërtohej fund e krye me paratë e privatit, ai do ishte i detyruar që 2 përqind t’ia paguante shtetit shqiptar. Kurse në rastin konkret, impianti shtetëror, i paguan 2 përqind shtetit dhe 98 përqind koncesionarit, që nuk mund të ndodhë vetëm kur është Edi Rama, Damian Gjiknuri dhe hajdutët e tjerë. Në 25 vite, kjo tejkalon disa herë vjedhjen që bëhet me impiantin e plehrave.
Në këtë prokurim direkt u shkel çdo rregull. Me një vendim të qeverisë, të gjitha HEC-et apo TEC-et me fuqi prodhuese mbi 2 megavat duhet të licencoheshin me vendim të Këshillit të Ministrave dhe hajdut Gjiknuri e dinte shumë mirë këtë. Por ai nuk mund ta kalonte në Këshillin e Ministrave, sepse donte të ndante paratë vetë me Edi Ramën të mos bënte aksionerë të tjerë.
Në aferën e gjeneratorit të energjisë në djegësin e Elbasanit, Gjiknuri është absolutisht hajdut kryesor, bashkë me Ramën” u shpreh Berisha.