SPAK ka mbyllur hetimet për incineratorin e Elbasanit dhe ka çuar për gjykim 10 të pandehur, përfshirë ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe ish-sekretarin e Përgjithshëm të kësaj Ministrie, Alqi Bllako. Paralelisht SPAK bën me dije se ka nisur hetimet për shkelje ligjore edhe për 3 ministri të tjera si edhe për procedurën e ndjekur për VKM që i hapte rrugë financimit të projektit.
Zbërthimi i kompjuterit të Klodian Zotos ka shtrirë hetimet e Prokurorisë së Posaçme SPAK edhe në ministritë e tjera të vendit përveçse asaj të Mjedisit.
SPAK bën me dije se po heton funksionarët e Ministrisë së Industrisë dhe Energjisë, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes, Ministrisë së Drejtësisë, të cilët dyshohet se në kundërshtim me ligjin kanë kthyer përgjigje pozitive ndaj Ministrisë së Mjedisit lidhur me zbatimin e procedures “negocim pa shpallje”, për t’i dhënë dritë jeshile ndërtimit të incineratorëve.
Gjithashtu SPAK po heton edhe shkeljet ligjore në procedure e ndjekur për Vendimit të Këshillit të Ministrave numër 907 të dates 17 dhjetor 2014, e cila miratoi sigurimin e financimit të nevojshem të kontratës së koncensionit.
Nën filtrin e Prokurorisë së Posaçme ka kaluar edhe mbyllja e vënddepozitimit ekzistues të mbetjeve të ngurta EKO-Park, Durrës”, me fond limit 1 miliardë e 684 milionë lekë, si dhe transanksionet e mëvonshme që janë kryer lidhur me fondet e përfituara nëpërmjet kësaj kontrate prokurimi.
Teksa SPAK ka mbyllur hetimet për incineratorin e Elbasanit dhe ka çuar për gjykim ish-drejtuesin e Ministrisë së Mjedisit, Lefter Koka, ish-sekretarin e Përgjithshëm Alqi Bllako si edhe zyrtarët Etleva Kondi, Jonida Zeqo, Pëllumb Abeshi, Bardhyl Çabiri dhe Serafin Papa, organi i akuzës sqaron se po vijon ende hetimet për funksionarë të tjerë të kësaj Ministrie të përfshirë në aferë.
Për gjykim kanë shkuar edhe emrat e drejtuesve të shoqërive “Albtek Energy” dhe “Integrated Technology Services” Mirel Mërtirin, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, të cilët janë në arrati prej më tepër se 2 vite. Ora News.