Injorancë është të kritikosh injorantët

0

Shkruan Edmond Arizaj

Kush janë injorantët më të mëdhenj? Pa mëdyshje, mësueset. Nuk janë injorante pse nuk dinë, janë injorante pikërisht se janë të dijshme. Le ta shpjegojmë me fakte të forta injorancën e tyre: Çfarë synojnë mësueset? Të mësojnë breza që nuk duan të mësojnë. Të mbushin mendje që nuk u pëlqen mendimi, por ndërzimi. Të merren me 30 pizevengë njëherësh në një botë ku 60 paraardhësit e tyre nuk kërkojnë llogari tek fëmija, por tek mësuesja. Për këtë mësuesja investon pesë-gjashtë vite, plus para, nerva, kohë, etj. Tani krahasoheni me dikë që investon vetëm një herë në buzë, gjoks e vithe, që merret vetëm me një mashkull të shumtën e herës, që dijenitë e saj mund të përmblidhen në 6 muaj çfarë ndodh në “Big Brathër” dhe 6 muajt e tjerë çfarë ndodh në krevatet e shoqeve. Në cepin e botës që i takon, në rrezen e Diellit që e ngroh, ajo është mbretëreshë; mësuesja le të kënaqet se është e dijshme me Homerin, me Danten, me Shekspirin, a me Ajnshtajnin e Pastërin.

Apo doni me adhurues? Cilët kanë më shumë? Injoranca është aq e fuqishme në mbështetje, në përkrahje, sa është e kotë t’i kundërvihet dikush. Imagjino pastaj kur vetë injorantët, për t’u dukur të dijshëm, sulmojnë injorancën. Nuk dua të jem në vend të të dijshmëve në këtë situatë! Ata mbeten jo vetëm pa fjalë, por edhe pa frymë, sepse gjysmë-injorantët që shajnë injorantët, janë si ish-komunistët që shajnë komunizmin. Brrrrrrr.

Le të marrim një të dijshëm, një fizikant psh: A ka ai më shumë ndjekës e përkrahës se sa dikush që thotë gjithë antiteoritë e teorive të tij: Toka është e sheshtë, Dielli është i ftohtë, Antarktida është kufi me qytetërime të tjera, Hëna është e zëvendësueshme, graviteti nuk egziston…dhe për këto ka diskutime, ka debate, ka ftesa televizive, ka artikuj. Pra injoranca është fakt që merret parasysh, fizikanti për çfarë na duhet?! S’ka as ndjekës, nuk është as trendy, është dhe shumë serioz, dhe në fund nëse diçka shkon jo sipas parashikimeve nuk guxon të thotë si injoranti: “Po mirë ndodh ndonjëherë edhe kështu”.

Apo të marrin mjekët: Cili prej tyre do guxojë sot të dalë përballë antivaxëve?! Fuck Pastër! Fuck Salk! Rroftë injoranca! Janë një armatë që nuk duan t’ia dinë, mjaftojnë të kenë të hanë, të pinë, të ndërzehen, të lodrojnë! Në fund të fundit, çfarë u duhen më shumë? A nuk duan dhe të dijshmit vetëm kaq?!

Injoranca nuk është si lebra, nuk është si lia, ajo nuk ka shenja. Madje ajo shkakton të qeshura. Humor. Batuta. Sepse habitati është tashmë i tyre. Dhe jeta po u lehtësohet gjithnjë e më shumë, teknologjia punon për ta. Tek e fundit për çfarë dreqin duhen Shekspiri, Tolstoy, Dostojevski? Le të përgjigjen të dijshmit.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu