Shqipëria ka rënë pre e një tjetër sulmi kiberenetik nga Irani. Këtë herë hakerat kanë goditur sistemin regjistrimit të hyrje-daljeve nga vendi, i njohur si sistemi TIMS.
Lidhur me këtë sulm, reagoi edhe kryeministri Edi Rama, i cili sqaroi se Irani ka sulmuar sërish dhe se po punohet së bashku me aleatët për të mbrojtur sistemin digjital.
Kjo situatë ka sjellë kaos në pikat kufitare në vendit, që aktualisht po punojnë manualisht, ndërkohe që ka radhë të shtuar.
Ndërkaq, abcnews.al ka siguruar ekskluzivisht imazhin që shfaqet në kompjuterët e policisë kufitare, teksa i gjithë sistemi është jashtë funksionit.
“Shqipëria ende po paguan për aktet terroriste të kultit MEK në Durrës; Dhe kjo lojë do të vazhdojë”, është ky mesazhi që shfaqet.
Irani duket se po vazhdon hakmarrjen. Sulmi i radhës vjen pak ditë pasi Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike dhe dëboi nga vendi diplomatët dhe stafin e ambasadës në Tiranë.
Qeveria shqiptare bëri përgjegjëse Iranin për sulmin në faqet online në muajin korrik. Sulmet janë dënuar gjithashtu edhe nga partnerët ndërkombëtarë. /abcnews.al