“Policia e Shtetit sot nuk di ta thotë akoma, ore u vra apo nuk u vra”. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama për zhdukjen e Ervis Martinajt javën e kaluar.
1 javë më pas Policia e Shtetit, ende nuk e ka një përgjigje për fatin e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj.
Në hetime është angazhuar edhe sektori i krimeve të rënda në Drejtorinë e Përgjithshme pasi prokuroria e Kurbinit po e heton çështjen për rrëmbim personi.
E telenovela, ashtu siç e cilësoi kryeministri, me shumë gjasa do të vijojë pasi hetuesit ende nuk kanë gjetur prova konkrete për të dalë në një konkluzion.
“Euronews Albania” ka siguruar foton dhe të dhëna nga sistemi TIMS, ku para shpalljes në kërkim Martinaj figuron të ketë patur dalje të shpeshta në Kosovë.
Në këtë periudhë në rrugë operative policia disponon të dhëna për udhëtime të tij edhe drejt Spanjës e Austrisë.
Nga ana tjetër ka dyshime se 40-vjeçari mund të ketë përdorur edhe dokumente të falsifikuara.
Paralelisht me pistën e rrëmbimit, policia po heton edhe një inskenim të mundshëm.
Çështja vijon të hetohet nga prokuroria e Kurbinit ndonëse Martinaj kërkohet nga SPAK pasi i shpëtoi operacionit “Plumbi i artë”.